**PDK akuzon Kurtin: Deputeti po e çon vendin drejt autokracisë, kërkohet konstituimi i Kuvendit**

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ishin të pranishëm edhe sot, në orën 11:00, në sallën plenare të Kuvendit, nga ku theksuan se aty duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, nga foltorja e Kuvendit, i bëri thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partisë së tij, të konstituojnë Kuvendin. Ajo theksoi se kërkesa e tyre është thelbësore për funksionimin e shtetit, jo një privilegj.

“Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë diçka elementare: të funksionojë shteti. Prandaj, Kurti, thirre seancën. Konstituoje Kuvendin. Respekto Kushtetutën dhe lëri institucionet të bëjnë punën e tyre. Sepse Kosova nuk është pronë e një lideri. Ajo u përket qytetarëve të saj dhe askush, absolutisht askush, nuk ka të drejtë ta mbajë peng të ardhmen e saj,” tha Kabashi-Ramaj.

Ajo nënvizoi se të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë zgjedhur nga qytetarët për të punuar dhe për t’i trajtuar problemet e tyre, jo për të mbetur peng i krizës politike të shkaktuar nga Albin Kurti.

“Asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën. Asnjë lider nuk është mbi shtetin. Asnjë parti nuk është mbi Kosovën. Kjo që po ndodh këtu është një krizë shtetërore e shkaktuar nga partia së cilës qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për të konstituuar institucionet, por që në realitet ka vendosur ta mbajë peng gjithë shtetin,” shtoi ajo.

Kabashi-Ramaj theksoi se pasojat e kësaj krize po i ndiejnë drejtpërdrejt qytetarët. “I ndien pacienti që pret trajtim dhe mjeku që punon në kushte të vështira. I ndien polici, ushtari dhe zjarrfikësi që mbrojnë vendin, por vazhdojnë pa sigurim të mirëfilltë shëndetësor dhe jetësor. I ndien mësuesi. Studenti që pyet a ka të ardhme këtu. Fermeri që pret mbështetjen. Biznesi që kërkon stabilitet. Ju, qytetarë, po e paguani çmimin e një shteti që nuk po lejohet të funksionojë,” deklaroi deputetja.

Më tej, Kabashi-Ramaj paralajmëroi se Albin Kurti po përpiqet të simulojë normalitet në vend, por në realitet po e drejton rendin shtetëror dhe institucional drejt autokracisë.

“Rreziku që po i kanoset Kosovës sonë dhe demokracisë që me aq shumë mund e sakrificë e kemi krijuar, është i madh! Demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate. Ajo fillon të dobësohet kur një lider nuk i pranon më kufijtë që ia vendos Kushtetuta. Kur Kuvendi mbahet jofunksional. Kur pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë atë dobësohen. Këto janë shenja paralajmëruese të rrëshqitjes drejt autokracisë,” përfundoi ajo.