Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka bërë të ditur sot një listë kërkesash të cilat, sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet t’i plotësojnë përpara se Ngushtica e Hormuzit të rihapet. Ndër to përfshihen heqja e sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe ndërprerja e kërcënimeve ushtarake, shkruan CNN.

Trafiku në këtë rrugë ujore jetike, përmes së cilës normalisht kalon një e pesta e naftës bruto në botë, ka shënuar rënie të ndjeshme që nga fillimi i konfliktit. Duke ritheksuar kërkesat e mëparshme të Teheranit, Agjencia zyrtare e Lajmeve e Republikës Islamike të Iranit (IRNA) përcaktoi kushtet e Ghalibafit si vijon:

* Heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
* Çlirimi i aseteve të ngrira të Iranit.
* Heqja e sanksioneve ndaj naftës iraniane.
* Ndërprerja e të gjitha kërcënimeve dhe operacioneve ushtarake.

Më herët gjatë ditës, një anije u godit nga një “predhë e panjohur” në ngushticë, duke shkaktuar një viktimë në bord. Kjo u raportua nga Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).

Zyrtari iranian i bëri gjithashtu thirrje SHBA-së të zbatojë “kushtet e tjera” të cilave Uashingtoni iu zotua në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit (MOU) të arritur ndërmjet dy vendeve në qershor. Kjo marrëveshje synonte ndalimin e armiqësive dhe hapjen e rrugës për një “marrëveshje përfundimtare” për t’i dhënë fund konfliktit brenda 60 ditësh – afat ky që skadoi dje – dhe për të zgjidhur çështje komplekse, si programi bërthamor i Iranit.