Publikohen pamjet: Arrestohet Sokrat Vata, i fshehur në bagazhin e një automjeti
Sokrat Vata, 29 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen me thikë të një turisti portugez 20-vjeçar në Ksamil, është arrestuar. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur forcat policore, të njohura si “Shqiponjat”, e lokalizojnë dhe arrestojnë 29-vjeçarin, i cili ishte fshehur në bagazhin e një automjeti.
Arrestimi i Vatës, me origjinë nga Hasi, u bë në Levan të Fierit, disa orë pasi ishte larguar nga vendi i krimit. Forcat e Policisë “Shqiponja” dhe shërbimet operacionale arritën të lokalizojnë të dyshuarin pasi ai ishte fshehur në bagazhin e automjetit.
Gjatë operacionit u zbulua se Sokrat Vata ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke 31-vjeçare. Në automjet udhëtonte edhe një shtetas turk 38-vjeçar, i cili ishte pasagjer.
Autori i dyshuar, Sokrat Vata, si dhe dy shtetasit turq, janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë (DVP Vlorë) për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e motivit.
