Takim i KFOR-it dhe BE-së për Sigurinë dhe Koordinimin; Ura e Ibrit, në fokus të bisedimeve?

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka pritur sot në një takim shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova. Takimi u zhvillua në Shtabin e KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, ky takim ofroi mundësinë për të diskutuar thellësisht situatën e sigurisë në mbarë Kosovën dhe për të forcuar më tej koordinimin mes dy institucioneve. Komandanti Ulutash shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ky takim vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian ka deklaruar se janë plotësuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë edhe për qarkullimin e automjeteve. Më herët, KFOR-i kishte njoftuar se ka nisur një “tranzicion gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

Në këtë kontekst, KFOR-i ripërsëriti se vazhdon të zbatojë me përpikëri mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky mandat synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe të garantojë lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i thekson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke vepruar si instanca reaguese të sigurisë, në kuadër të roleve të tyre përkatëse.