Halimi: Takimi Kurti-Abdixhiku, shpresë për president konsensual dhe fundin e ngërçit politik

Analisti politik Jeton Halimi e ka vlerësuar takimin e fundit mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si një mundësi thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje politike. Sipas Halimit, kjo marrëveshje do të mundësonte zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe zhbllokimin e institucioneve të Kosovës.

Pas takimit, Halimi shprehu optimizëm se palët do të arrijnë një mirëkuptim politik, duke theksuar se një figurë konsensuale për president do të kishte shanse të fitonte mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Halimi kritikoi klasën politike për atë që ai e quajti “populizëm” dhe “zvarritje të procesit të formimit të institucioneve”, duke bërë thirrje që ngërçit politik t’i jepet fund.

“Unë besoj se tashmë edhe populli është ngopur dhe njerëzit janë lodhur nga politikanët tanë në Kosovë, duke përfshirë si pozitën, ashtu edhe opozitën, veçanërisht Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët po bëjnë populizëm dhe po mundohen të marrin vota në kurriz të popullit dhe me shfrytëzimin e buxhetit të taksapaguesve të Republikës së Kosovës. Takimi i mbrëmshëm besoj që është një shpresë që mund të ketë një president konsensual me marrëveshje klasike politike me LDK-në, siç ka pretenduar Albin Kurti. Shpresoj se Albin Kurti nuk i ka këto vetëm fjalë për opinion dhe për konsum të brendshëm, kinse dëshiron të themelojë institucionet e Kosovës. Besoj se do të gjendet një marrëveshje politike, do të zgjidhet presidenti dhe do t’i jepet fund ngërçit politik, duke i treguar Evropës dhe Amerikës se Kosova është e aftë të themelojë institucionet e saj”, tha ai.

Ai kërkoi nga partitë politike që t’i japin fund retorikave populiste dhe përplasjeve politike, duke theksuar se Kosova nuk duhet të mbetet pa institucione funksionale.

“Mjaft më me këto populizma, në fund të fundit jemi shqiptarë. Kutia e votimit cakton të parin, të dytin. Mos të bëjnë politika vëllavrasëse. Pamë çfarë ka ndodhur në Kuvend, prej sa vitesh jemi pa institucione. Shpresoj që t’i japim fund këtij populizmi, këtyre ngërçeve politike, dhe ky popull i shumëvuajtur mos t’i përjetojë edhe një herë nga këta politikanë vetëm e vetëm për interesat dhe xhepat e tyre”, u shpreh Halimi.

Halimi komentoi edhe emrat e përmendur publikisht për postin e ardhshëm të presidentit, duke sugjeruar se Ilaz Ramajli mund të jetë një figurë konsensuale.

“Kam parë deklaratat pas takimit të Albin Kurtit, kryeministër në detyrë – ndonëse ligjërisht ky pozicion nuk ekziston më, siç e theksojnë shumë media, por nuk është ashtu – dhe të kryetarit të LDK-së, zotit Abdixhiku. Janë lakuar emra, Ilaz Ramajli është një figurë unifikuese, besoj me mjaft respekt, dhe dimë çfarë ka punuar ai në kohën e okupimit. Shpresoj që, nëse këta dy emra lakohen apo përmenden në opinion, Ilaz Ramajli mund të jetë një president i ardhshëm konsensual, që do të merrte edhe mbështetjen e partive të tjera opozitare, si PDK dhe Aleanca”, tha ai.

Sipas tij, zhvillimet ndërkombëtare dhe sfidat ekonomike e bëjnë edhe më të nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale sa më shpejt.

“Të ecin tutje dhe po i shohim zhvillimet në arenën e jashtme, lufta me Iranin, shtrenjtimet e karburanteve, lufta në Ukrainë, e megjithatë politikanët gjejnë kohë dhe bëjnë populizma vetëm e vetëm për njerëzit dhe interesat e tyre. E thashë edhe më herët se nuk është dashur të vijë kjo gjendje, por ja pra, jemi këtu. Këto figurat politike që po përmenden besoj që i përmbushin kriteret për të kapërcyer këtë ngërç politik dhe shpresoj të bëhet gjatë kësaj jave edhe marrëveshja politike dhe të shkohet në Kuvend për të themeluar institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundoi Halimi.

**Zhvillimet nga takimi Kurti-Abdixhiku:**

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për profilin potencial që do të duhet të ketë kreu i ri i shtetit.

Pas takimit më shumë se dyorësh në ambientet e Kuvendit, të mbajtur më 18 gusht, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, u shprehën se ekziston vullnet që dy partitë të arrijnë një pajtim për gjetjen e një emri për presidentin.

Takimi, sipas Kurtit, u zhvillua në një atmosferë pozitive, duke shtuar se ai pa vullnet te pala tjetër që vendi të ketë një president të ri. Ai theksoi se aktualisht nuk mund të flitet për emra konkretë.

Abdixhiku, ndërkaq, deklaroi se dy partitë do të zhvillojnë diskutime brenda strukturave të tyre dhe në takimin e ardhshëm do të bisedojnë për emra konkretë. Ai shprehu bindjen se mund të gjendet një figurë meritore për postin e presidentit.

Sipas LDK-së, presidenti i ri duhet të jetë një figurë që e do Republikën, e mbron atë dhe ushtron unitetin politik, siç kërkohet me Kushtetutë. Abdixhiku tha se për këto parime, palët kanë gjetur pajtim.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar disa ftesa të Kurtit për takime, por udhëheqësi i LVV-së deklaroi se ende është i gatshëm të takohet me këto dy parti për çështjen e presidentit.

Takimi i 18 gushtit erdhi disa ditë pasi Abdixhiku njoftoi se nuk dëshiron marrëveshje politike me Kurtin për formimin e institucioneve të reja, por shtoi se është i hapur për mbështetjen e një kandidati konsensual, jopartiak, për postin e kreut të shtetit.