Sezoni i ri i Abissnet Superiore nis të premten, më 20 gusht, me ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu, e cila do të zhvillohet në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në prag të këtij starti, Drejtori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Marjus Sulejmani, ka folur për fshf.org, duke prezantuar risitë e kampionatit, formatin e ri të garës dhe pritshmëritë për një sezon sportiv sa më të suksesshëm.

Sulejmani theksoi se sezoni nis të premten me Vllaznia-Skënderbeu në Shkodër. Ai shpjegoi se ndërsa dy ndeshje do të luhen të shtunën, ceremonia tradicionale e hapjes do të mbahet të dielën, në prag të ndeshjes Egnatia-Tirana, në shtëpinë e kampionit në fuqi, Egnatias.

Drejtori i Garave shpjegoi formatin e ri, i cili parashikon ndarjen e ekipeve pas tre fazave të rregullta. Gjashtë ekipet e para do të garojnë në play-off për titullin kampion, ndërsa katër ekipet e fundit (vendi 7-10) do të marrin pjesë në play-out. Një tjetër risi është detyrimi i ekipeve për të aktivizuar lojtarë shqiptarë të datëlindjes 2007 e në vazhdim. Në Abissnet Superiore, çdo ekip duhet ta nisë ndeshjen me të paktën një lojtar të kësaj datëlindjeje, i cili duhet të luajë për një pjesë loje. Për Kategoritë e Para, të Dytë dhe të Tretë, rregulli është edhe më strikt, duke kërkuar aktivizimin e lojtarëve të vitlindjes 2007 me pasaportë shqiptare gjatë gjithë ndeshjes.

Sulejmani theksoi se struktura e re e kampionatit premton një garë shumë dinamike. Ai uroi për një sezon me sa më shumë tifozë, spektakël dhe fair-play, si në fushë, ashtu edhe në tribuna.

Në fund, Drejtori i Garave vlerësoi performancën e skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane. Ai uroi Egnatian, e cila ka siguruar fazën e grupeve në UEFA Conference League dhe garon për të shkuar në Europa League, me ndeshjet e radhës më 20 dhe 27 gusht. Po ashtu, i uroi suksese Dinamo City-t në ndeshjen e parë të play-off-it kundër Pafos, e cila luhet më 20 gusht në “Elbasan Arena”, me takimin e kthimit më 27 gusht, me shpresën që të kualifikohen në fazën e grupeve të Conference League.