**Musiala: Problemi neurologjik kërkon trajtim të përhershëm, por karriera nuk rrezikohet**

Episodet e përsëritura të humbjes së vetëdijes nga mesfushori i talentuar i Bayern Munich, Jamal Musiala, kanë shqetësuar botën e futbollit. Megjithatë, klubi gjerman dhe ekspertët mjekësorë japin sinjale optimizmi lidhur me gjendjen shëndetësore të yllit 23-vjeçar.

Musiala pësoi rrëzime gjatë ndeshjeve miqësore kundër Leipzig dhe Heidenheim. Në takimin e dytë, ai qëndroi në fushë vetëm katër minuta para se të shfaqte sërish simptomat shqetësuese.

Vetë futbollisti ka shpjeguar se mjekët i kanë konstatuar “episode të shkurtra të mungesës së vetëdijes, të cilat shfaqen përkohësisht, por janë të trajtueshme dhe lidhen me një disfunksion neurologjik”.

Sipas neurologut Christoph Kleinschnitz, drejtues i Neurologjisë në Spitalin Universitar të Essenit, simptomat mund të lidhen me një formë të krizave epileptike absencë. Kleinschnitz thekson domosdoshmërinë e ekzaminimeve të thelluara neurologjike për një diagnozë të saktë. Eksperti shprehet optimist për karrierën e Musialës, duke theksuar se një problem i tillë mund të trajtohet, duke i mundësuar futbollistit të vazhdojë të luajë, në varësi të rezultateve të ekzaminimeve dhe regjimit të trajtimit.

Edhe te Bayern Munich duket se mbizotëron qetësia. Sipas agjencisë gjermane “dpa”, klubi nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se disfunksioni neurologjik do ta pengojë Musialën të vazhdojë karrierën në nivelin më të lartë. Dy paraqitjet e tij të fundit në fushë ishin realizuar në bashkërendim me mjekët.

Ndërkohë, presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeness, ka pranuar se episodi i dytë e kishte tronditur thellë. “Fakti që ndodhi sërish vetëm katër ditë më vonë më la vërtet në shok. Mbeta pa fjalë, gjë që rrallë më ndodh. Shtrihem duke menduar për të dhe zgjohem në mëngjes duke menduar për të. Ne e mbështesim Jamalin pa kushte,” u shpreh Hoeness. Ai zbuloi se klubi kishte dijeni prej kohësh për problemet e Musialës, por se incidenti në Leipzig ishte hera e parë që një situatë e tillë ndodhte në fushën e lojës. Hoeness shtoi se situata është para së gjithash një dramë personale për vetë Musialën dhe theksoi se mjekët e Bayern janë në kontakt të vazhdueshëm me specialistët.

Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse Musiala do të aktivizohet në Superkupën e Gjermanisë kundër Borussia Dortmundit këtë të shtunë.