Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Dida-Bujari, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për dështime të rënda në menaxhimin e mbeturinave dhe për kaos në sistemin e faturimit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Dida-Bujari theksoi se gjendja e pastërtisë në kryeqytet është përkeqësuar ndjeshëm. Ajo shtoi se qytetarët po përballen me deponi të egra, mbeturina në hapësira publike dhe vonesa të theksuara në grumbullimin e tyre.
“Gjendja me pastërtinë në Prishtinë ka arritur nivelin më të rënduar që kemi parë ndonjëherë. Çdo ditë përballemi me deponi të egra mbeturinash, erë të padurueshme dhe pika grumbullimi që janë kthyer në vatër infeksioni,” shkroi ajo.
Përveç sfidave në terren, asamblistja vuri në dukje se po aq shqetësuese është edhe mënyra e faturimit për shërbimet e mbeturinave.
“Ka dhjetëra ndërtesa kolektive që asnjëherë nuk kanë marrë një faturë për shërbimin e mbeturinave, ndërsa në anën tjetër, qytetarëve tani po u dërgohen fatura duplikate për të njëjtin vendbanim,” deklaroi Dida-Bujari.
Ajo fajësoi Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe udhëheqjen e Komunës së Prishtinës për këtë situatë, duke e konsideruar atë si pasojë të drejtpërdrejtë të “papërgjegjësisë” dhe “çoroditjes administrative”.
Nisur nga kjo situatë, Dida-Bujari kërkoi nga organet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes.
“Si asambleiste në Kuvendin Komunal, kërkoj nga digasteri përgjegjës masa të menjëhershme: pastrim dhe dezinfektim urgjent të pikave kritike, shtim të kapaciteteve në terren, si dhe rregullim të menjëhershëm të sistemit të faturimit për të ndalur ngarkimin e paligjshëm e të dyfishtë të qytetarëve,” theksoi ajo.
Asamblistja kërkoi gjithashtu llogaridhënie zyrtare dhe hartimin e një plani konkret për tejkalimin e situatës.
“Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim profesional, mjedis të pastër dhe korrektësi institucionale, e jo kaos, arsyetime dhe fatura të dyfishta,” përfundoi Dida-Bujari.
Ajo ka publikuar edhe pamje nga Rruga B, duke theksuar se prej disa muajsh ajo vazhdon të jetë në një gjendje të rënduar me mbeturina.
