Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë për media, BDI-ja, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, theksoi se opozita dëshiron t’u drejtohet kutive të votimit.
Partia përshëndeti gjithashtu gatishmërinë e shprehur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me kushtin “nëse këtë e kërkon opozita”.
“‘E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione,’ thuhet në deklaratën e BDI-së.”
BDI kërkoi që kjo deklaratë e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim konkret.
“‘Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje,’ përfundon deklarata e BDI-së.”
