Zvarritje 15-vjeçare në gjykata: Kushtetuesja konstaton shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pas një mosmarrëveshjeje gjyqësore që zgjati më shumë se 15 vjet.

Vendimi u mor në rastin KI179/25, të paraqitur nga PTP “3T” SH.P.K., lidhur me kohëzgjatjen e procedurës në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë.

Gjykata Kushtetuese, unanimisht, e shpalli kërkesën të pranueshme dhe vlerësoi se ishte shkelur paragrafi 1 i nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Çështja kishte nisur më 6 shtator 2010, kur paditësi kishte ngritur padi kundër Komunës së Prishtinës dhe Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), lidhur me tërheqjen e fondeve nga “Fondi i Besimit”.

Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e refuzoi padinë në vitin 2013, por pas ankesës, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Në vitin 2017, Gjykata Themelore miratoi kërkesëpadinë, por pas ankesës së Ministrisë së Financave, Gjykata e Apelit, në vitin 2020, sërish e anuloi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Me themelimin e Gjykatës Komerciale në vitin 2022, lënda u transferua në këtë gjykatë, ku ka mbetur për shqyrtim dhe vendosje.

Kushtetuesja vlerësoi se vonesa nuk ishte shkaktuar nga paditësi, por nga gjykatat e zakonshme, të cilat, pa arsye të qëndrueshme, nuk kishin arritur ta përfundonin mosmarrëveshjen brenda një afati të arsyeshëm.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura gjyqësore ishte zvarritur për më shumë se 15 vjet, duke cenuar të drejtën e palës për një vendim brenda një afati të arsyeshëm.