Liverpooli po has vështirësi në përpjekjet për të përforcuar krahët e sulmit, pasi Brighton ka refuzuar ofertën e klubit anglez për Yankuba Minteh.

“Të Kuqtë” kishin ofruar rreth 60 milionë euro për anësorin, por propozimi nuk ka bindur Brightonin, duke e detyruar Liverpoolin të kërkojë alternativa të tjera para mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator.

Klubi anglez po punon paralelisht edhe për Bradley Barcolan e PSG-së, por francezët kërkojnë rreth 152 milionë euro për yllin 23-vjeçar.

Në listën e Liverpoolit është edhe Ibrahim Mbaye, me të cilin raportohet se është arritur marrëveshje personale. Megjithatë, ende nuk ka marrëveshje mes klubeve për shumën e transferimit.

Në këtë situatë, Minteh mbetet një objektiv i rëndësishëm, por refuzimi i ofertës së fundit nga Brightoni e ka komplikuar ndjeshëm operacionin.