**Ramadani akuzon: Çmimi i naftës arrin 1.80 euro/litër, qytetarët po vuajnë nga “bllokada e re”**

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka adresuar përmes një postimi në Facebook rritjen e çmimit të naftës dhe situatën politike aktuale në vend.

Ramadani thekson se kjo situatë ka shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët. Ai shkruan: “Dita e 14 e bllokadës së re: Nafta ka shkuar sërish rreth 1.80 euro për litër. Qeveri nuk ka, sepse Kuvend nuk ka. Nuk mund të marrin asnjë iniciativë për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve.”

Sipas deputetit të AAK-së, “bllokada e re e Vetëvendosjes” po dëmton drejtpërdrejt qytetarët, duke rënduar mirëqenien e tyre ekonomike çdo ditë e më shumë.

Më tej, Ramadani kritikon ashpër pushtetarët, duke i akuzuar se po shfrytëzojnë privilegjet e pushtetit në dëm të popullit. Ai shprehet: “Mirëqenia e qytetarëve po rëndohet çdo ditë e më tepër, ndërsa pushtetarët uzurpues e bllokues po vazhdojnë të gëzojnë privilegjet e pushtetit. Me paratë e popullit, ata po shërbehen me luks, vetura të shtrenjta, dreka e darka, shëtitje, dhe marrin vendime në kurriz të qytetarëve.”