**PDK paralajmëron: Zemërimi qytetar do të rritet nëse vazhdon bllokada e institucioneve**

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar për të shtatën ditë radhazi protestën e saj para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen. Ky veprim vjen në shenjë kundërshtimi ndaj mosftimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Protestës së PDK-së iu janë bashkuar edhe sot deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.

Asamblistja e PDK-së nga Lipjani, Yllëza Bedrolli, theksoi se institucionet nuk duhet të mbeten të bllokuara. Ajo i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehet në Kuvend.

“Sot ne e përkrahim këtë protestë me faktin që nuk mundemi të lejojmë bllokimin e institucioneve, nuk mundemi të lejojmë mbylljen e dyerve të një institucioni publik siç është Kuvendi. Andaj, unë e ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vijnë dhe të hapin dyert e Kuvendit, dhe që nga sot të fillojnë formimin e institucioneve, të mos i bllokojnë ato dhe, kryesorja, të mos e shkelin Kushtetutën, sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik. Ne mbështesim Republikën dhe demokracinë,” tha ajo.

Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, deklaroi se partia do të vazhdojë të kundërshtojë veprimet e Albin Kurtit, duke paralajmëruar rritje të zemërimit qytetar nëse situata vazhdon.

“Ne edhe sot jemi këtu për të shprehur fuqishëm kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të deputetit Albin Kurti, i cili me vetëdije të plotë po shkel Kushtetutën dhe rendin juridik të vendit tonë, tërësisht për interesat e tij, për egon e tij dhe për qëllimet e tij tashmë personale, sepse është më se e qartë se gjithçka po dirigjohet prej tij. Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse nëse kjo situatë vazhdon, zemërimi i qytetarëve do të rritet, dhe për pasojat, ai do të mbajë përgjegjësitë në ditët në vazhdim,” tha Demaku.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, theksoi se qëllimi i protestës është ngritja e vetëdijes qytetare dhe politike për, siç u shpreh ai, shkeljet kushtetuese që po ndodhin në vend.

“Jemi këtu bashkë për të ngritur vetëdijen qytetare dhe politike për vendin tonë, sepse një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhur në udhëheqjen e një partie, e cila, siç po shihet, është fshehur diku në zyrat e veta dhe vazhdon të jetë recidiviste në shkelje kushtetuese. Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarësh, prej të cilëve 17 persona janë betuar si deputetë, dhe këtyre 17 personave nuk u vjen turp të shkojnë nga Kuvendi në ministri dhe të ushtrojnë funksione të dyfishta, në kundërshtim me ligjin. Ushtrimi i funksioneve të kundërligjshme si zyrtarë publikë nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse me këtë kabinet të kësaj partie, të cilëve gradualisht po u vjen fundi dhe gradualisht qytetarët e Kosovës po shohin se shkeljet kushtetuese të vazhdueshme janë logjikë e punës së Vetëvendosjes,” përfundoi Tahiri.