Sot shënohet nëntëvjetori i ndarjes nga jeta të Bajram Rexhepit, kryeministrit të parë të Kosovës në periudhën e pasluftës.
Ai ndërroi jetë më 21 gusht 2017, pas një beteje disamujore me probleme të rënda shëndetësore.
Në prill të po atij viti, Rexhepi u shtrua fillimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa më pas u transferua për trajtim të specializuar në Turqi. Pas rreth pesë muajsh kura, ai ndërroi jetë, duke lënë pas bashkëshorten dhe vajzën.
Bajram Rexhepi lindi më 3 qershor 1954 në Mitrovicë. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Zagreb në vitin 1985. Për shumë vite ai shërbeu si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku shërbeu për disa muaj si mjek në terren.
Pas luftës, ai u angazhua fuqishëm në jetën politike dhe institucionale të vendit. Shërbeu si kryetar i Mitrovicës së Jugut dhe drejtoi degën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë qytet.
Më 4 mars 2002, pas disa muajsh bisedimesh të frytshme politike dhe me ndërmjetësimin e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.
Më 1 prill 2010, ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme.
Në vitet e fundit të jetës, Rexhepi u tërhoq nga politika, duke iu rikthyer profesionit të tij si kirurg.
