Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka theksuar shqetësimin e tij për ndikimin negativ që paqëndrueshmëria institucionale dhe pasiguria politike mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Gërxhaliu ka vlerësuar se një ekonomi mund t’u bëjë ballë sfidave të ndryshme si inflacioni, kriza energjetike dhe presionet ndërkombëtare. Megjithatë, situata bëhet dukshëm më e vështirë kur këtyre u shtohet mungesa e stabilitetit institucional dhe pasiguria në skenën politike.
“Një ekonomi mund të përballojë edhe inflacionin, edhe krizën energjetike, edhe presionet ndërkombëtare, por e ka shumë më të vështirë kur këto shoqërohen me jostabilitet institucional dhe pasiguri politike,” ka theksuar Gërxhaliu.
Sipas tij, prioritet kyç duhet të jetë krijimi i një klime ku politika nuk pengon zhvillimin ekonomik. Gërxhaliu ka bërë thirrje për stabilitet institucional, dialog politik dhe sundim të ligjit, si dhe përshpejtim të reformave. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përdorimit më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investimet vendore dhe ato të huaja.
