Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, është në qendër të një skandali pas akuzave për lidhje të mundshme me rrjete ruse, duke çuar në kërkesa për t’i ndaluar qasjen në informacionet e klasifikuara. Çështja ka shkaktuar trazira në Slloveni dhe ka shtruar pikëpyetje serioze mbi sigurinë kombëtare.
Skandali shpërtheu pas një aksidenti automobilistik më 31 korrik, ku u përfshi makina zyrtare e presidentes. Ndër pasagjerët ishte edhe Viktorija Krivolucka, një mikeshë e hershme e Pirc Musar, me origjinë ruse. Vetë presidentja pësoi frakturë të klavikulës dhe u shtrua në spital pas ngjarjes.
Krivolucka është lidhur nga mediat sllovene me Roman Jegliç, një ish-zyrtar i shërbimeve të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet ’90. Ajo ka konfirmuar se ka jetuar me Jegliçin në Rusi për disa vite, por thekson se nuk ka pasur kontakte me të për rreth 15 vjet.
Skandali ka marrë shpejt përmasa politike. Deputeti i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Žan Mahnič, i ka kërkuar qeverisë të ndërpresë furnizimin e presidentes dhe zyrës së saj me raporte të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare.
Mahnič argumenton se dyshimet për lidhje me rrjete ruse kërkojnë një vlerësim të plotë nga kundërzbulimi dhe mbrojtja e informacionit të klasifikuar. Edhe Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka kërkuar sqarime nga shërbimet përkatëse lidhur me ndikimin e mundshëm rus në rrethin e ngushtë të presidentes.
Nga ana e saj, Presidenca ka mohuar kategorikisht çdo bashkëpunim të presidentes me rrjetet ruse të inteligjencës. Ajo ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet që e lidhin atë drejtpërdrejt me Roman Jegliçin, duke theksuar se Pirc Musar nuk e ka takuar dhe nuk e njeh personalisht ish-zyrtarin. Edhe Krivolucka ka mohuar çdo lidhje aktuale me inteligjencën ruse, duke ritheksuar se nuk ka pasur kontakte me Jegliçin për shumë vite. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë provë konkrete që dëshmon bashkëpunimin e saj me shërbimet ruse.
