Vdekja e punëtorit në KEK, Sindikata: Kushtet e punës, jashtëzakonisht të rënda
Një punëtor 32-vjeçar i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën të mërkurën, më 20 gusht (sivjet), në vendin e punës. Dyshohet se vdekja erdhi si pasojë e kontaktit me një kabllo elektrike.
Ky është rasti i katërt fatal i raportuar brenda këtij viti në KEK, bën të ditur Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online, ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së të ndjerit dhe ka ngritur shqetësimet lidhur me kushtet e sigurisë në vendet e punës brenda korporatës.
“Fillimisht, ndjejmë obligim t’i shprehim ngushëllime familjes së kolegut tonë, Arben Ahmeti, i cili fatkeqësisht humbi jetën në vendin e tij të punës pas kontaktit me një kabllo elektrike, duke pësuar një aksident fatal. Ne i shprehim ngushëllime familjes, shokëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur, një punëtor të sjellshëm, të zellshëm dhe të dalluar në mesin tonë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Policia dhe organet hetimore, përfshirë ekipin e forenzikës, po merren me zbardhjen e shkaqeve të aksidentit në vendngjarje”, deklaroi ai.
Jashari theksoi se kushtet e punës në KEK janë të rënda dhe, sipas tij, ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse për punëtorët.
“Në Korporatën Energjetike të Kosovës, kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda. Kemi mungesë të disa pajisjeve mbrojtëse, qoftë në aspektin elektrik, mekanik apo atë të mbrojtjes nga gazrat. Natyra e punës në KEK është jashtëzakonisht e vështirë dhe e rëndë. Për këtë arsye, i bëjmë apel menaxhmentit dhe bordit që të merren me përmirësimin e këtyre kushteve, të gjendjes së vendeve të punës dhe sigurisë së punëtorëve në përgjithësi”, tha ai.
Ai shtoi se, përveç rasteve fatale, sindikata është e shqetësuar edhe për sëmundjet që, sipas dyshimeve të tyre, mund të lidhen me kushtet e punës në KEK.
“Fatkeqësisht, kemi pasur këto humbje të kolegëve tanë nga aksidentet fatale, mirëpo kemi edhe vdekje të shkaktuara nga sëmundje të kontraktuara në vendin e punës, të cilat ne dyshojmë se vijnë si pasojë e gazrave të ndryshme, pluhurit, zhurmës, dridhjeve dhe natyrës së rëndë të punës në Korporatën Energjetike të Kosovës. Kemi dërguar shkresa dhe kërkesa të vazhdueshme menaxhmentit dhe bordit për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë së punëtorëve në vendet e punës”, theksoi Jashari.
Jashari kritikoi qasjen, sipas së cilës, institucionet dhe menaxhmenti ndërmarrin masa vetëm pasi të ndodhin aksidentet, duke kërkuar që problemet e sigurisë të adresohen paraprakisht.
“Fatkeqësisht, është kthyer në praktikë, një traditë jo e mirë, që vetëm pasi të ndodhë aksidenti, vetëm pasi të ndodhin rastet, të merremi ne me to. Duhet njëherë e përgjithmonë t’i adresojmë dhe t’i evitojmë problemet para se të ndodhin. Kur ato ndodhin, është gjithçka e vonë, sepse jeta e njeriut nuk kthehet më pas”, u shpreh ai.
Gjatë këtij viti, katër punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arben Ahmeti.
