Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se çdo kërcënim i ri ndaj Teheranit do të përballet me një përgjigje “shkatërruese”. Ky paralajmërim vjen pasi administrata amerikane njoftoi vendosjen e sanksioneve financiare më të ashpra në historinë e SHBA-së, me synim ushtrimin e presionit maksimal ndaj udhëheqjes iraniane.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Ali Abdollahi, deklaroi se vendi është tërësisht i përgatitur për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të ri amerikan në të gjitha fushat. “Forcat e armatosura të Iranit do t’u përgjigjen kërcënimeve të reja të armikut me përgjigje dërrmuese, ndëshkuese dhe shkatërruese,” theksoi Abdollahi, sipas mediave iraniane.
Kjo deklaratë pason paralajmërimin e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, i cili njoftoi masa të reja ekonomike kundër Iranit. Bessent tha se SHBA-ja do të vendosë “sanksionet më të ashpra në histori” dhe se këto masa synojnë të detyrojnë Teheranin të ndryshojë kursin politik. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar gjithashtu pasoja ekonomike për çdo shtet që i ofron Iranit “çfarëdo lloj mbështetjeje”.
Bessent pritet të japë më shumë detaje rreth paketës së re të sanksioneve gjatë një konference për media të hënën. Ai e përshkroi strategjinë amerikane si një “goditje një-dy”, duke iu referuar bllokadës aktuale dhe sanksioneve të reja ekonomike. Sipas Bessent, presioni ekonomik synon të çojë në ndryshimin e regjimit në Teheran, duke deklaruar: “Kjo do të funksionojë në Iran dhe ne do ta rrëzojmë këtë regjim.”
Nga ana e saj, Ministria e Jashtme iraniane i ka dënuar masat amerikane, duke i cilësuar ato si “terrorizëm ekonomik”. Teherani ka deklaruar se sanksionet nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e iranianëve për të mbrojtur pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, njëherazi negociator kryesor i Teheranit në bisedimet me SHBA-në, tha se Uashingtoni duket se ka arritur në përfundimin se nuk mund ta fitojë përballjen e drejtpërdrejtë ushtarake. Gjatë një vizite në Irak, ai theksoi se Irani duhet të përgatitet për të përballuar sanksionet dhe akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për zhvillimin e asaj që e cilësoi luftë ekonomike dhe “kognitive”.
Përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit ka ndikuar ndjeshëm edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimet e naftës u stabilizuan të premten, por mbetën në rrugën për të shënuar rritjen e dytë javore radhazi, mes shqetësimeve për eksportet e energjisë nga Gjiri Persik. Nafta arriti të enjten nivelin më të lartë në më shumë se tri javë, pas kërcënimit amerikan për sanksione të reja.
Tensionet lidhen edhe me sigurinë e ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. Historikisht, rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë kalonte nëpër këtë ngushticë.
Një pikë tjetër e tensionit është Kina, e cila mbetet blerësi kryesor i naftës iraniane. Sipas të dhënave aktuale, Kina blen më shumë se 80 për qind të naftës iraniane të transportuar me anije. Administrata Trump ka sinjalizuar se mund të ushtrojë presion edhe ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin. Bessent nuk përjashtoi mundësinë që masat amerikane të prekin edhe kompanitë ose aktorët kinezë, megjithëse tha se disa prej bisedimeve duhet të zhvillohen privatisht.
Kina, ndërkohë, ka kundërshtuar politikën e sanksioneve. Ambasada kineze në Uashington deklaroi se “sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit” dhe bëri thirrje që palët ta zgjidhin krizën përmes mjeteve politike dhe diplomatike. Ndërkohë, ofertat e naftës iraniane për blerësit kinezë kanë rënë, ndërsa çmimet janë rritur gjatë kësaj jave, pasi tregtarët i thanë Reuters se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane ka ndikuar në uljen e dërgesave të naftës.
