Apple mund të ketë zbuluar aksidentalisht pamjet e para të një versioni të ri të AirPods të pajisur me kamera, një produkt për të cilin prej kohësh qarkullojnë thashetheme.

Ekipi i MacRumors zbuloi një video të pajisjes së dyshuar brenda versionit “macOS Tahoe 26.7 Release Candidate”.

Videoja zgjat vetëm 13 sekonda dhe u publikua në platformën X nga analisti i MacRumors, Aaron Perris.

“Ja pamja juaj e parë e AirPods me kamera në veprim duke përdorur Visual Intelligence. Ky skedar videoje erdhi nga macOS 26.7 RC”, shkroi ai.

Në video shihet një burrë me AirPods në vesh, i cili mban një libër pranë fytyrës.

Një zë në sfond thotë se me funksionin “Visual Intelligence” përdoruesi mund të ruajë informacione nga ajo që sheh në mjedisin përreth dhe t’i rikthehet më vonë.

“Dikush do të pushohet nga puna”

Zbulimi i videos ka befasuar shumë fansa të Apple.

Një përdorues e cilësoi rrjedhjen e informacionit si “të çmendur”, ndërsa një tjetër bëri shaka:

“Dikush do të pushohet nga puna.”

Sipas MacRumors, AirPods që shfaqen në këtë material mbajnë emrin e koduar “B790”.

Megjithatë, situata është disi e paqartë.

MacRumors pretendon se ky model nuk është i njëjti me AirPods me kamera që më herët ishin përfolur për vitin 2027, pasi ato thuhet se kanë emrin e koduar “B798”.

Kjo sugjeron se Apple mund të jetë duke punuar paralelisht në një projekt tjetër AirPods me kamera, i cili potencialisht mund të prezantohet edhe më herët.

Në kod raportohet se ekziston edhe një referencë e drejtpërdrejtë për transmetimin e imazhit nga kufja e majtë.

Për çfarë do të shërbenin kamerat?

Detajet për pajisjen mbeten të pakta, por sipas MacRumors, kamerat mund të përdoren për t’i dhënë informacion funksionit “Visual Intelligence”.

Ky sistem është projektuar për të njohur dhe analizuar objekte, vende apo kafshë në mjedisin përreth dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të përdoruesit.

Funksioni ekziston tashmë në iPhone, ku përdoruesi mund ta drejtojë kamerën nga një objekt dhe të kërkojë informacion për të.

Nëse kamera do të integrohej në AirPods, procesi mund të bëhej pa pasur nevojë që përdoruesi ta nxjerrë telefonin nga xhepi.

Sipas raportimit, kamerat e AirPods do t’i dërgonin informacion “Visual Intelligence”, ndërsa sistemi do të mund të identifikonte atë që përdoruesi ka përpara dhe të ruante të dhëna të caktuara.

Thuhet se në sistem ekziston edhe një referencë për konfigurimin e “Visual Intelligence” direkt përmes AirPods.

Flokët mund ta pengojnë funksionimin

Një detaj interesant lidhet me mënyrën se si kamerat do të vendosen në kufje.

Sipas kodit të analizuar, nëse flokët mbulojnë AirPods, përdoruesi mund të marrë një paralajmërim.

Mesazhi thuhet se këshillon që kufjet të mos mbulohen, në mënyrë që sistemi të marrë informacion sa më të saktë për objektet dhe ambientin përreth.

Kjo sugjeron se kamerat ose sensorët do të varen shumë nga një fushëpamje e lirë.

Ende pa datë prezantimi dhe çmim

Për momentin nuk ka informacion të konfirmuar mbi datën e lansimit apo çmimin e mundshëm të këtyre AirPods.

Apple nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e pajisjes.

Megjithatë, rrjedhja e pretenduar ka mjaftuar për të ndezur diskutimet në rrjetet sociale.

Një përdorues shkroi se nuk sheh ndonjë nevojë të madhe për kamera në AirPods, por parashikoi se, nëse Apple arrin t’i përdorë në mënyrë bindëse, prodhues të tjerë mund ta ndjekin shembullin.

Një tjetër sugjeroi se Apple mund të mos ua japë përdoruesve qasje direkte në fotografitë e kamerave, por t’i përdorë ato vetëm përmes “Visual Intelligence”.

Një qasje e tillë, sipas tij, mund të reduktonte shqetësimet për privatësinë, sidomos në ambiente të ndjeshme si dhomat e zhveshjes.

Ndërsa një tjetër përdorues bëri shaka:

“Apple i vendosi sy pajisjes që e blemë për veshët.”

Apple është kontaktuar për koment, por deri tani nuk ka konfirmuar publikisht detajet e raportuara. /GazetaExpress/