Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se pasditen e sotme do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për të diskutuar hapjen e Urës së Ibrit.
Kurti theksoi se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in lidhur me çështjen e marrjes nën kontroll dhe funksionalizimit të kësaj ure.
“Për marrjen nën kontroll të urës, jemi në komunikim me KFOR-in. Kam një takim në Kryeministri me gjeneralmajor Ulutashin. Kështu, komunikimi është i përditshëm, si nga Kryeministria, ashtu edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se pas ndërtimit të urave të reja, është krejtësisht e pakuptimtë dhe absurde që Ura e Ibrit të vazhdojë të mbahet e mbyllur.
