Këngëtari Hysni Kelmendi ka sjellë së fundmi bashkëpunimin e tij të ri me një prej emrave të njohur të muzikës shqiptare, Resmije Kidën.
“Malli” titullohet kënga e re, e cila vjen si një bashkim mes dy brezave dhe sjell në vëmendje nostalgjinë për vendlindjen, kujtimet dhe jetën në mërgim.
Për Kelmendin, ky projekt ka një rëndësi të veçantë personale. Ai ka rrëfyer se bashkëpunimi me Resmije Kidën ka qenë një ëndërr që e kishte që nga fëmijëria, kur dëgjonte me admirim këngët e saj dhe të Rifatit gjatë viteve ’80 dhe ’90.
“Për mua, si këngëtar, ky bashkëpunim me një nga ikonat e muzikës shqipe, Resmije Kidën, nuk është thjesht një duet. Është realizimi i një ëndrre që e kam pasur që në fëmijëri”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka treguar se edhe pse Resmije Kida u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 37 vjet më parë, ajo vazhdoi ta mbajë të gjallë lidhjen me vendlindjen, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Sipas tij, pikërisht kjo ndjenjë e mallit për atdheun është në qendër të këngës së re.
“Gurbetçari mund të largohet nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet kurrë nga zemra e tij”, është shprehur këngëtari.
Kelmendi ka përmendur edhe Rifatin, i cili tashmë nuk është në mesin e të gjallëve, duke theksuar se këngët dhe kujtimi i tij vazhdojnë të jetojnë.
Për të, “Malli” është më shumë se një projekt muzikor, pasi përmes këtij dueti rikthehet edhe atmosfera e një periudhe të dashur për publikun shqiptar.
Teksti dhe muzika e këngës janë realizuar nga Diamant Sinanaj, orkestrimi nga Agon Neziraj, ndërsa videoklipi është realizuar nga Adriatik Asllani, me regji të Lind Berishës.
Në fund, Kelmendi ka ndarë emocionin e tij për realizimin e ëndrrës së dikurshme.
“Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës që sot mund të them: atë që dikur e ëndërroja si fëmijë, sot e këndova me Resmije Kidën”, ka deklaruar ai.
