Bayerni synon pasardhësin e Neuerit, përballet me konkurrencë nga Premier Liga

Bayern Munich po shqyrton me seriozitet të ardhmen e portës së saj. Klubi bavarez ka nisur të mendojë për zëvendësimin e legjendës Manuel Neuer.

Sipas raportimeve të portalit “4-4-2.com”, Bayerni ka vënë në objektiv Gregor Kobel, portierin titullar të Borussia Dortmund dhe të përfaqësueses së Zvicrës, si pasardhës të mundshëm të Neuerit.

Megjithatë, portieri 28-vjeçar ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e klubeve nga Premier Liga. Chelsea dhe Newcastle United po ndjekin me shumë interes situatën e gardianit zviceran, duke e bërë garën për shërbimet e tij mjaft konkurruese.

Kobel iu bashkua Borussia Dortmundit në vitin 2021 dhe që atëherë është afirmuar si një prej portierëve më të besueshëm në Bundesligë dhe në skenën evropiane.

Në sezonin aktual, ai ka regjistruar 41 paraqitje me fanellën verdhezi, duke e mbajtur portën të paprekur në 16 prej tyre. Kontrata e tij me Borussia Dortmundin skadon në vitin 2028.

Manuel Neuer konsiderohet gjerësisht si një prej portierëve më të mirë në historinë e futbollit, prandaj gjetja e pasardhësit të tij në Allianz Arena do të jetë një detyrë mjaft e vështirë për drejtuesit e Bayernit.