Dolly Parton ka zbuluar arsyen emocionale që qëndron pas problemeve të saj të fundit shëndetësore, pas anulimit të disa paraqitjeve publike dhe rezidencës së planifikuar në Las Vegas.
Këngëtarja 80-vjeçare ka pranuar se gjatë periudhës kur kujdesej për bashkëshortin e saj të ndjerë, Carl Dean, kishte lënë pas dore shëndetin e vet.
Dean ndërroi jetë më 3 mars 2025, në moshën 82-vjeçare.
“Po përballem me disa probleme shëndetësore të cilave thjesht nuk u kushtova vëmendje kur po kujdesesha për Carl”, tha Parton në një intervistë për “People”.




Ajo shtoi se nuk është hera e parë që përballet me vështirësi shëndetësore, duke kujtuar edhe një periudhë në vitet ’80 kur kishte kaluar disa muaj me probleme gjinekologjike.
“Ende po shërohem, por vazhdoj të punoj”
Parton tha se sot çdo problem shëndetësor merr përmasa shumë më të mëdha për shkak të rrjeteve sociale.
“Dikur bëja shaka se isha mbretëresha e tabloideve, ndërsa tani ndoshta mund të them se jam mbretëresha e rrjeteve sociale dhe AI-së”, tha ajo me humor.
“Por seriozisht, edhe pse ende po shërohem, vazhdoj të punoj.”
Në fillim të këtij muaji, këngëtarja shqetësoi fansat pasi anuloi në momentin e fundit një paraqitje në parkun e saj tematik Dollywood.
Në vend që të merrte pjesë fizikisht në inaugurimin e atraksionit të ri “NightFlight Expedition”, ajo u shfaq përmes një videoje.
“Jam ende në Nashville dhe më vjen keq për këtë. Duhej të isha atje personalisht, siç e kishim planifikuar”, tha ajo.
Parton shpjegoi se kohët e fundit ka pasur episode marramendjeje dhe dehidratimi.
“Jam e dehidratuar dhe mjeku im personal, në njëfarë mënyre, m’i ka prerë krahët duke më thënë: ‘Këtë javë nuk do të udhëtosh’.”
“Dhe nëse mjeku të thotë se nuk udhëton këtë javë, atëherë nuk udhëton”, shtoi ajo.
Probleme me veshkat dhe sistemin imunitar
Në maj, Parton anuloi gjithashtu rezidencën e saj me gjashtë koncerte në “Caesars Palace” në Las Vegas.
Më pas ajo u shpjegoi fansave se prej kohësh ka pasur probleme me gurët në veshka, ndërsa gjatë tri viteve të fundit sistemi i saj imunitar dhe ai tretës “kishin dalë nga ekuilibri” dhe kishin nevojë të forcoheshin.
“Lajmi i mirë është se po reagoj shumë mirë ndaj ilaçeve dhe trajtimeve dhe po përmirësohem çdo ditë”, u tha ajo ndjekësve.
Megjithatë, rikthimi në skenë kërkon më shumë kohë.
“Lajmi i keq është se do të më duhet pak kohë para se të jem sërish në nivelin e nevojshëm për performanca, sepse disa prej ilaçeve dhe trajtimeve më bëjnë pak të trullosur, siç thoshte gjyshja ime.”
Me humorin karakteristik, Parton shtoi:
“Sigurisht që nuk mund të jem e marramendur duke mbajtur banjo, kitara e gjëra të tjera me taka pesë inç. Dhe e dini që do t’i vesh ato!”
Ajo theksoi se është nën kujdesin e mjekëve dhe se problemet që ka janë të trajtueshme.
Dhimbja pas humbjes së bashkëshortit
Parton ka folur edhe më herët për ndikimin që humbja e Carl Dean pati tek ajo.
“Thjesht u lodha shumë, emocionalisht dhe fizikisht, duke përjetuar dhimbjen për Carl dhe duke u marrë me shumë gjëra të tjera”, tha ajo në një paraqitje publike.




“E kuptova se duhej të rindërtoja veten shpirtërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Por gjithçka është mirë. Kjo nuk më ka ndalur.”
Këngëtarja ka kaluar edhe një tjetër humbje familjare së fundmi, pasi vëllai i saj Coy “Denver” Parton ndërroi jetë më 23 korrik, në moshën 82-vjeçare.
Pavarësisht problemeve, Dolly vazhdon projektet
Edhe pse ka reduktuar udhëtimet dhe paraqitjet publike, Parton vazhdon të punojë në projekte të reja.
Në intervistën e fundit ajo foli edhe për muzeun e ri “Life Of Many Colors”, i cili ndodhet brenda “SongTeller Hotel” në Nashville.
Muzeu prezantohet si ekspozita më e madhe e dedikuar jetës dhe karrierës së saj, duke përfshirë dekada të tëra të rrugëtimit të Parton nga fillimet modeste deri te suksesi botëror.
Sipas faqes zyrtare, ekspozita do t’i çojë vizitorët prapa skenave, në turne dhe në disa nga momentet më ikonike të karrierës së saj.
Biletat për muzeun pritet të dalin në shitje nga 29 shtatori.
Pavarësisht periudhës së vështirë personale dhe shëndetësore, mesazhi i Dolly Parton mbetet optimist: ajo po rikuperohet, po ndjek trajtimet dhe synon të vazhdojë të punojë. /GazetaExpress/
