Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim të planifikuar me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, për të diskutuar hapjen e urës mbi Ibër. Megjithatë, takimi i paralajmëruar për pasditen e së njëjtës ditë, nuk është zhvilluar, pasi KFOR e ka anuluar për “rrethana të paparashikuara”.
Vuçiq deklaroi se këto veprime dërgojnë një sinjal se negociatat janë të pakuptimta për Serbinë, duke theksuar se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ende nuk është zbatuar.
“Gjithçka që bën Kurti dhe gjithçka që ata bëjnë me të është absurditet total,” tha Vuçiq. Ai shtroi pyetjen: “Kur do ta zbatoni Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013? Asgjë më shumë, vetëm këtë. Ju nga Bashkimi Evropian e keni vendosur nënshkrimin, kur do ta zbatoni?”
Presidenti serb theksoi se delegacioni i Serbisë ka negociuar për hapjen e urës mbi Ibër plot 50 herë në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Kështu po na jepni sinjal se nuk ka kuptim të bisedojmë dhe të negociojmë, edhe pse ne gjithmonë kemi negociuar. Për çfarë të bisedojmë?” tha ai. Vuçiq la të kuptohej se situata mund të zgjidhet me forcë, “së bashku me miqtë tuaj të NATO-s.” Ai shtoi se do të bisedojë me Kryeministrin holandez, Mark Rutte, dhe përmendi një bisedë “të sjellshme, por jo të mirë” midis Milan Mojsiloviqit dhe Ulutaşit.
