Mes tensioneve në rritje dhe asaj që po quhet një “luftë e zgjatur ekonomike” me Iranin, Shtetet e Bashkuara po kërcënojnë me masa të paprecedenta ekonomike për të rritur presionin ndaj Teheranit. Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, premtoi javën e kaluar masa ekonomike “të paparë më parë”, ndërsa Presidenti Donald Trump paralajmëroi për një “DITË D EKONOMIKE”.

Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar sanksione kundër Iranit për afro 50 vjet, duke lënë të paqartë natyrën e saktë të masave të reja që mund të ndërmarrin Trump dhe Bessent. Deklaratat kontradiktore të Trumpit mbi gjendjen e bisedimeve në fillim të javës e kanë lënë statusin e negociatave të mbetet i paqartë.

Një analizë e CNN shpjegon zhvillimet aktuale:

**Trump kërcënon me pasoja të rënda ekonomike:** Presidenti deklaroi këtë javë në platformën Truth Social se SHBA-ja do të ndërmerrte “OPERACIONIN EKONOMIK MË DËRRMUES QË ËSHTË NDËRMARRË NDONJËHERË KUNDËR NDONJË VENDI”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi masat specifike. Trump shtoi se do të kishte pasoja ekonomike për çdo “vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare të ofrojnë çfarëdo lloj mbështetjeje për Iranin”.

**Irani kundërpërgjigjet:** Shefi i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, është zotuar të “neutralizojë luftën ekonomike” dhe ka kërcënuar me bllokimin e rrjedhës së naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Mediat gjysmëzyrtare iraniane raportuan se një aleat i afërt i liderit suprem të Iranit e cilësoi retorikën e fundit të Trumpit si shprehje “dëshpërimi”.

**Bessent do të mbajë konferencë shtypi:** Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të mbajë një konferencë shtypi ditën e hënë, në orën 14:00 sipas orës së Lindjes së SHBA-së, duke shënuar një intensifikim të mëtejshëm të kërcënimeve ekonomike nga administrata Trump ndaj Teheranit.

**Efektet mbi çmimet në SHBA:** Kjo situatë konflikti po ushtron presion ekonomik edhe brenda Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, Trump i minimizoi këto efekte, duke e quajtur konfliktin “një devijim të vogël”, ndërsa fajësoi Partinë Demokratike për inflacionin dhe premtoi një rënie të shpejtë të çmimeve të karburantit.

**Zhvillimet e fundit në ngushticë:** Irani ka lejuar kalimin e disa cisternave irakiane të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, siç raportoi agjencia Reuters sot, duke cituar agjencinë shtetërore iraniane IRNA. Edhe pse trafiku detar mbetet dukshëm më i ulët se nivelet e paraluftës, analizat e CNN tregojnë një rritje prej 27% të numrit të anijeve që kaluan ngushticën gjatë javës së fundit.