Një 29-vjeçare, e fejuar vetëm një ditë më parë, ka humbur jetën tragjikisht pas një sulmi nga një ari në një kamping në Rusi. Ajo dhe i fejuari i saj kishin planifikuar të kalonin disa ditë romantike në natyrë, në malet e Rusisë, pasi vetëm 24 orë më parë ai i kishte bërë propozimin për martesë.
Por gëzimi i tyre u kthye në tragjedi në mesnatë, kur një ari sulmoi çadrën e tyre. Kafsha e egër tërhoqi me forcë 29-vjeçaren jashtë çadrës, duke i shkaktuar plagë fatale. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit në një kamping pranë liqenit Teletskoje, në Republikën Altai të Rusisë.
Ariu iu afrua çadrës, e shqeu atë dhe, pavarësisht britmave të gruas, e tërhoqi jashtë. I fejuari i saj dhe kampistë të tjerë dëshmuan të tmerruar momentin kur kafsha e tërhoqi viktimën përtej lumit Biya. Çdo përpjekje për ta shpëtuar dështoi.
Sipas dëshmitarëve, kampistët tentuan të largonin ariun. Menjëherë në vendngjarje mbërritën rojet e faunës dhe policia, të cilët qëlluan në ajër në përpjekje për të trembur kafshën. Megjithatë, kafsha nuk u largua nga gruaja, siç raporton Bild dhe transmeton Klankosova.tv. Më pas, sipas një dëshmitareje, ariu e tërhoqi trupin e saj më tej përtej lumit dhe dyshohet se nisi ta mbulonte me dhe, një sjellje tipike e arinjve kur fshehin prejnë.
Një ditë pas sulmit fatal, u raportua se pesë arinj u vranë nga gjuetarët në zonë. Megjithatë, ende nuk dihet nëse mes tyre ishte edhe ariu përgjegjës për vrasjen e 29-vjeçares.
Viktima u identifikua si Snezhana K., nga Novosibirski, e cila punonte në Ministrinë Ruse të Situatave Emergjente. Ajo ndodhej në kamping me të fejuarin për të kaluar disa ditë pushimi në male. Kështu, vetëm një ditë pas propozimit për martesë, ëndrra e tyre për një të ardhme të përbashkët u shndërrua në një tragjedi të rëndë.
