Plagosje me armë zjarri në rrugën Sarosh-Rahovec, policia jep detaje
Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën rajonale Sarosh-Rahovec, gjatë orëve të para të së shtunës.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 22 gusht 2026, rreth orës 02:20. Viktima, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij, u ndal pasi një tjetër automjet i kishte bërë shenjë me drita.
Pas ndalimit, një person i panjohur qëlloi me armë në drejtim të viktimës, duke e plagosur në pjesën e pasme të kokës. Më pas, i dyshuari e goditi viktimën disa herë me kondakun e armës.
Gjatë përleshjes, viktima arriti t’ia merrte armën sulmuesit dhe u largua nga vendi i ngjarjes për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar një pistoletë pa municion. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa rasti po hetohet nga njësitet kompetente, në koordinim me prokurorin e shtetit.
