Një cisternë nafte është përfshirë nga zjarri pasi u godit nga një “predhë e panjohur” në Detin e Kuq, pranë portit të Janbusë në Arabinë Saudite.
Agjencia britanike e sigurisë detare, UKMTO, njoftoi se incidenti ndodhi rreth 63 milje detare në perëndim të Janbusë.
Sipas njoftimit, i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe deri më tani nuk janë raportuar pasoja mjedisore.
Ndërkohë, kompania britanike e sigurisë detare, Vanguard Tech, raportoi se cisterna, e cila lundronte nën flamurin e Arabisë Saudite, dyshohet se u godit nga një raketë, duke shkaktuar zjarr në kuvertën kryesore.
Ky incident ndodh në një periudhë me tensione të larta në rajon, ndërsa rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve saudite.
Porti i Janbusë ka fituar një rëndësi të veçantë strategjike për eksportet e naftës saudite, ndërsa tensionet në Detin e Kuq dhe në korridoret kryesore detare kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit ndërkombëtar të energjisë.
Ngjarja e fundit pritet të thellojë edhe më tej shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë detare në rajon.
