Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenca, me rastin e shënimit të 35-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se në vitin 1991, parlamenti ukrainas votoi aktin që i dha popullit të tij të drejtën për të vendosur vetë për fatin e tij. Ai shtoi se prej më shumë se katër vjetësh, Ukraina është detyruar ta mbrojë këtë të drejtë me armë, pasi Federata Ruse, e nxitur nga një logjikë lufte dhe zgjerimi territorial, vendosi ta shkatërrojë atë me forcë.
Kurti pohoi se qëndrimi i Republikës së Kosovës ka qenë i pandryshuar që nga dita e parë, dhe se solidariteti me Ukrainën nuk ka qenë kurrë i kushtëzuar apo transaksional.
“Jemi të vetëdijshëm se Kievi ende nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, një qëndrim ky i përsëritur edhe para dy javësh. Besojmë se ky qëndrim nuk qëndron as përballë fakteve historike, as përballë të drejtës ndërkombëtare, dhe do ta theksojmë këtë sa herë të jetë e nevojshme. Njëkohësisht, mirëpresim njohjen e pavarësisë sonë nga Ukraina dhe nga çdo shtet tjetër liridashës e paqedashës që ende nuk e ka bërë këtë. Kosova dhe populli shqiptar nuk qëndrojnë vetëm në territorin e tyre, por edhe në të drejtën e tyre historike,” përfundoi ai.
