**Dogana e Kosovës sekuestron mijëra pako barna pa banderola në Prishtinë**
**Prishtinë** – Dogana e Kosovës ka sekuestruar 2,559 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës dhe pa dokumentacionin përkatës, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë. Operacioni u realizua në dy lokacione: në një depo farmaceutike dhe në një shtëpi private të lidhur me rastin. Vlera e përgjithshme doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20,745.94 euro.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Dogana, njësitë e saj, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kontrolluan fillimisht një depo farmaceutike në kryeqytet. Gjatë kontrollit, në tualetin e lokalit, u zbulua një hapësirë e modifikuar ku ishin fshehur 2,161 pako barnash, të cilat nuk kishin as dokumentacion mbulues dhe as banderolat e kërkuara nga legjislacioni i Kosovës.
Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli u shtri edhe në një shtëpi private të ndërlidhur me rastin. Në bodrumin dhe pjesë të tjera të këtij objekti, u gjetën edhe 398 pako të tjera barnash pa banderola të RKS-së.
Në total, nga të dyja lokacionet, janë sekuestruar 2,559 pako barnash. I gjithë malli i zbuluar është sekuestruar dhe dokumentuar me detaje, duke përfshirë specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave.
Vlerat doganore të përllogaritura janë:
* Në depon farmaceutike: 15,112.84 euro.
* Në shtëpinë private: 5,633.10 euro.
Vlera e përgjithshme doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20,745.94 euro.
Rasti është duke u hetuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet tjera përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit të paligjshëm të barnave. Ky angazhim ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, garantimin e konkurrencës së drejtë dhe ruajtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.
