Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, vizitoi qumështoren “VITA”, ku u prit nga drejtori Artan Spahija dhe stafi i kompanisë. Gjatë vizitës, Rafuna u njoh nga afër me veprimtarinë e kompanisë, procesin e prodhimit, investimet në makineri dhe teknologji, si dhe me bashkëpunimin e saj me fermerët vendorë.

Rafuna vlerësoi lart punën dhe zhvillimin e qumështores “VITA”, duke theksuar se investimet e vazhdueshme në teknologji, rritja e kapaciteteve dhe forcimi i bashkëpunimit me fermerët janë një shembull i rëndësishëm i zhvillimit të prodhimit vendas.

“Investimet në makineri dhe teknologji, së bashku me lidhjen e qëndrueshme me fermerët, përbëjnë bazën për një industri më konkurruese. ‘VITA’ është një shembull i mirë se si investimi, puna dhe përkushtimi mund të ndërtojnë një produkt konkurrues jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregjet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian”, tha Rafuna.

Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë rritjen e numrit të fermerëve me të cilët bashkëpunon kompania, cilësinë e produkteve dhe angazhimin për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. “VITA” është një ndër kompanitë që ka arritur të ndërtojë besueshmëri dhe reputacion në treg, ndërsa produktet e saj, përveç konsumatorëve në Kosovë, tashmë gjenden edhe në tregjet ndërkombëtare.

Rafuna theksoi se zhvillimi i kompanive të tilla është thelbësor për të gjithë zinxhirin e industrisë së qumështit, pasi përfitimet shtrihen nga fermerët dhe prodhuesit deri te konsumatori final.

Ai u bëri thirrje institucioneve të vazhdojnë mbështetjen ndaj prodhuesve vendorë, me qëllim që investimet të rriten më tej, të forcohen kapacitetet prodhuese dhe produktet “Made in Kosova” të kenë një prezencë edhe më të gjerë në tregjet ndërkombëtare.

Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë bizneseve vendore, duke promovuar investimet, prodhimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.