Një ngjarje e pazakontë familjare në Genova të Italisë ka përfunduar me arrestimin e një 57-vjeçareje, e dyshuar se për muaj të tërë i jepte bashkëshortit ilaçe gjumi të përziera në ushqim dhe më pas i merrte para dhe sende me vlerë.

Sipas hetimeve, burri kishte nisur të përjetonte episode të forta përgjumjeje menjëherë pas vakteve. Kur zgjohej, ai vinte re se i mungonin celulari, portofoli apo shuma të ndryshme parash.

Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se nga llogaria e nënës së tij ishin tërhequr para.

Dyshimet nisën pas kërkesës për ilaçe gjumi

Situata u bë edhe më e dyshimtë pasi 57-vjeçarja i kishte kërkuar mjekut pika kundër pagjumësisë, duke pretenduar se ato ishin për bashkëshortin.

Megjithatë, momenti vendimtar erdhi kur vajza e gruas arriti ta filmonte nënën e saj teksa hidhte pika në një ëmbëlsirë të përgatitur për burrin.

Pamjet u kthyen në një prej provave kryesore të hetimit.

Burri largohet nga shtëpia, por historia nuk përfundon aty

Pas përballjes me situatën, burri vendosi të largohej nga banesa dhe të strehohej te nëna e tij.

Por, sipas hetimeve, gruaja e ndoqi edhe atje.

Ajo dyshohet se theu xhamin e një dritareje duke përdorur dy vazo dhe tentoi të hynte në banesë për ta sulmuar bashkëshortin.

Edhe ky episod u regjistrua nga vajza, duke shtuar prova të tjera në dosjen e hetimit.

57-vjeçarja arrestohet

Pas denoncimit, karabinierët arrestuan gruan nën dyshimet për dhunë në familje.

Prokuroria ka kërkuar që ndaj saj të caktohet masa e paraburgimit në burg, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht episodet dhe shumat e parave që dyshohet se janë marrë.

Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe pikërisht për shkak se provat kryesore që çuan në zbulimin e ngjarjes u siguruan nga vetë vajza e çiftit. /GazetaExpress/