**Kurti në hapjen e “SERPENTINE 2026”: Një kapitull i ri për artin dhe kulturën në Kosovë**

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në fshatin Kukaj të Prishtinës në hapjen zyrtare të “SERPENTINE 2026”. Kjo hapësirë e re, shumëdisiplinare, me fokus artin dhe kulturën, ofron një program të larmishëm që përfshin teatrin bashkëkohor, muzikën, instalacionet artistike dhe zanore, si dhe forma të tjera të krijimit artistik.

Kurti theksoi se me hapjen e “SERPENTINE”, nis një kapitull i ri për artin dhe kulturën në Kosovë, duke folur më gjerësisht për rëndësinë e kësaj qendre të re kulturore në fshatin Kukaj.

“SERPENTINE nuk është thjesht një ndërtesë ku zhvillohen ngjarje kulturore. Me tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike, ajo mundëson që arti të lindë, të zhvillohet dhe të prezantohet në të njëjtin vend. Gjithashtu, ajo ofron mundësi të reja për bashkëpunimin e artistëve nga Kosova me ata nga rajoni dhe Evropa,” deklaroi kryeministri.

Kurti nënvizoi rëndësinë e veçantë të këtij zhvillimi, pikërisht sepse po ndodh në një fshat të vogël që ka dëshmuar se madhësia gjeografike e një vendi nuk përcakton shkëlqimin apo pasurinë e jetës kulturore që mund të krijohet aty.

“Dy hapësira kulturore në një fshat të vogël përbëjnë një pasuri të madhe për gjithë Kosovën. Ato, megjithëse të ndryshme në karakter, plotësojnë në mënyrë të shkëlqyer njëra-tjetrën: “EtnoFest-i” mbështet lidhjen me trashëgiminë, traditën dhe kujtesën tonë kulturore, ndërsa “SERPENTINE” krijon një platformë të re për teatrin bashkëkohor, instalacionin, muzikën, eksperimentimin dhe format e reja të shprehjes artistike,” theksoi kryeministri.

Në fund, ai përgëzoi themelueset e “SERPENTINE”, Arta dhe Ilirjana Arifi, si dhe ekipin e tyre. Kurti shprehu gjithashtu mirënjohje për profesorin Fadil Hysaj dhe të gjithë të përfshirët që, përmes “EtnoFest-it”, prej vitesh e kanë kthyer Kukajn në një emër të njohur në hartën kulturore të Kosovës.