Kryesia e Aleancës, së bashku me Grupin Parlamentar, kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë. Kjo protestë u mbajt pak para dorëzimit të një kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale.

Protesta pasqyron pakënaqësinë e Aleancës ndaj bllokimit institucional dhe uzurpimit të hapësirave që u përkasin institucioneve të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e Aleancës theksuan se situata aktuale institucionale është e papranueshme dhe kërkuan që institucionet e vendit të jenë të hapura dhe funksionale, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Mesazhi ynë është i qartë: Shteti nuk mund të funksionojë me dyer të mbyllura, me institucione të bllokuara dhe me hapësira të uzurpuara”, deklaroi Aleanca.

Kallëzimi penal i dorëzuar në Prokurorinë Speciale lidhet me vendime të caktuara të Qeverisë në detyrë, të cilat Aleanca i konsideron antikushtetuese.