Ukraina ka pranuar një sasi të vogël raketash interceptuese “Patriot” të prodhimit amerikan, të afta për të rrëzuar raketat balistike ruse, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky nuk ka specifikuar numrin e saktë të raketave të mbërritura dhe as nuk ka zbuluar se kush i ka dërguar ato.
Kievi zyrtar ka marrë gjithashtu konfirmimin për furnizime të ardhshme me sistemin francez të raketave tokë-ajër Crotale, siç njoftoi presidenti, bazuar në raportimet e transmetuesit Suspilne.
Këtë muaj, Zelensky theksoi se Ukrainës i nevojitet 5% e prodhimit amerikan të raketave “Patriot” për të përmbushur nevojat e saj, por aktualisht po merr vetëm 1%.
“Nga 1% në 5%, kam disa muaj që bëj miliona telefonata dhe gjithçka tjetër. Bëj disa gjëra për të cilat nuk mund të flas. Kjo nuk do të thotë se janë të paligjshme, por nuk mund të flas për to,” është shprehur Zelensky.
Presidenti ukrainas ka deklaruar vazhdimisht javëve të fundit se Ukraina nuk po arrin të ndalojë shumë raketa ruse për shkak të mungesës së sistemeve mbrojtëse si raketat “Patriot”. Ai i ka kërkuar SHBA-së që ta furnizojë vendin e tij me këtë lloj raketash, mes raportimeve se vetë Shtetet e Bashkuara mund të përballen me vështirësi në plotësimin e këtyre kërkesave për shkak të angazhimeve të ndryshme globale.
