Shqipëria ka regjistruar rastin e parë me virusin e Nilit Perëndimor, duke nxitur Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) të nisë menjëherë një hetim epidemiologjik në qarkun e Korçës.
Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka mbërritur në terren, ku po kryen hetim entomologjik dhe depistime specifike në zonat e prekura. Qëllimi është identifikimi i mushkonjave që mund të transmetojnë virusin dhe marrja e masave të nevojshme për kontrollin e tyre.
Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të qytetit, ku po merr trajtimin mjekësor. I moshuari dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë kohës që kalonte në një lulishte.
Pas shfaqjes së simptomave shëndetësore, 72-vjeçari kërkoi ndihmë mjekësore, dhe analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.
Paralelisht, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle të gjera në zona të ndryshme të qarkut të Korçës, me qëllim evidentimin e pranisë së mushkonjës bartëse të virusit dhe përcaktimin e masave të nevojshme për frenimin e përhapjes së tij.
Si pjesë e këtij hetimi dhe masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistime të thelluara. Në zonat ku konstatohet prania e mushkonjave, parashikohet të ndërhyhet me dezinfektim dhe trajtime specifike për kontrollin e tyre.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni kalon pa simptoma ose shfaqet me shenja të lehta si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Megjithatë, në rastet e rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor, duke shkaktuar komplikacione serioze.
Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të zbardhë shkallën e pranisë së mushkonjës bartëse në zonë dhe të përcaktojë masat e mëtejshme parandaluese për shmangien e rasteve të tjera.
