**Walker Propozon Faton Bislimin Për President të Kosovës, Bislimi Nuk Komenton**
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, u ka dërguar një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për President të vendit.
Lidhur me këtë propozim, Faton Bislimi është pyetur nga Ekonomia Online, por ai nuk ka pranuar të flasë gjatë. “Me kënaqësinë më të madhe, por duhet me iu bashkangjit Joseph-it dhe Shirley, herën tjetër”, ka thënë shkurt ai.
Në letrën e tij, ambasadori Walker shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “bllokadë të tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”. Si mik i Kosovës, ai thekson se nuk beson që zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje, e aq më pak do ta rikthejnë vendin në rrugën e një qeverisjeje efektive.
Walker vë në dukje se ka dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm, por sipas vlerësimit të tij, asnjëri prej tyre nuk i përmbush plotësisht aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Për këtë arsye, ai propozon emrin e Faton “Tony” Bislimit.
Në letrën e tij, Walker rendit disa prej cilësive që, sipas tij, Bislimi i posedon dhe që janë thelbësore për një President të suksesshëm:
1. **Njohuri ndërkombëtare:** Ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke zotëruar një përvojë të jashtëzakonshme.
2. **Përgatitje akademike:** Studimet e tij në Kosovë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë, si dhe ka dëshmuar aftësi si edukator dhe ligjërues.
3. **Aftësi komunikuese:** Zotëron plotësisht shqipen dhe anglishten, si dhe frëngjishten.
4. **Njohje e thellë e shtetformimit:** Ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe kontakte personale me shumë nga aktorët e përfshirë.
5. **Personaliteti:** Zotëron aftësi të nevojshme sociale, duke qenë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe duke sjellë lehtësi e humor.
6. **Kandidat i konsensusit:** Nuk përfaqëson interesa partiake, por bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë, duke qenë i perceptuar si përfaqësues i vendit në tërësi.
Walker thekson se e njeh Bislimin prej shumë vitesh dhe ka diskutuar shpesh me të për politikën e Kosovës, duke shprehur bindjen për pavarësinë e tij në mendim dhe aftësinë për t’i artikuluar qartë qëndrimet. Ai kërkon që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve.
