**Shpërndarja e Popullsisë: Qarku i Korçës me mbi 80% të Territorit të Pabanuar, Durrësi Më i Dënduri**

Një raport i fundit mbi Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, bazuar në Censusin 2023 dhe shpërndarjen e popullsisë në rrjetin standard evropian 1×1 km, zbulon të dhëna të rëndësishme mbi përqendrimin e popullsisë në Shqipëri. Qarku i Korçës rezulton me nivelin më të lartë të territorit të pabanuar në vend, ku mbi 80% e sipërfaqes së tij gjeografike në qeliza 1 kilometër katror nuk ka popullsi banuese.

Pas Korçës, me përqindje të lartë të territorit të pabanuar renditen Gjirokastra me 77.5%, Vlora me 71.4%, Kukësi me 70.7%, Shkodra me 67.2%, Dibra me 62.3% dhe Berati me 60.8%. Këto shifra tregojnë një përqendrim të theksuar të popullsisë në zona të kufizuara brenda këtyre qarqeve, duke lënë sipërfaqe të mëdha pa banorë.

Në anën tjetër të spektrit, Qarku i Durrësit shfaqet si zona me përqendrimin më të madh të popullsisë, ku vetëm 20.6% e sipërfaqes rezulton e pabanuar. Pas Durrësit vijnë Fieri me 39.9% territor bosh dhe Qarku i Tiranës me 43.7%. Qarqet e Lezhës dhe Elbasanit janë pranë mesatares kombëtare, me përkatësisht 54.3% dhe 53.6% të territorit të pabanuar.

Mesatarisht, raporti vlerëson se rreth 57% e territorit të bashkive shqiptare nuk ka popullsi në qelizat 1 km katror. Kjo nënkupton që popullsia e vendit nuk është shpërndarë në mënyrë uniforme, por është e përqendruar kryesisht në qendrat urbane, fusha, lugina dhe korridore të caktuara banimi.

Kjo strukturë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në reformën administrativo-territoriale, pasi shpërndarja e pabarabartë e popullsisë nënkupton kosto dukshëm më të larta për banor për shërbime si rrugët, transporti, shërbimet sociale dhe emergjencat në zonat e gjera dhe të rralla. Raporti thekson se dendësia tradicionale e popullsisë për kilometër katror nuk mjafton për të kuptuar shpërndarjen reale dhe për këtë arsye, analiza plotësohet me tregues të dendësisë së perceptuar dhe përqendrimit hapësinor të popullsisë.