**Shtëpia Botuese “Luarasi” kundërshton ashpër MAShT: “Populizëm, maltretim, shkelje ligji” për librat shkollorë**
Shtëpia Botuese “Luarasi” ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MAShT), duke e akuzuar për populizëm, maltretim dhe shkelje të ligjit në lidhje me procesin e teksteve shkollore dhe daljen e tyre në shitje, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Ky reagim vjen pas deklaratave të ministrit në detyrë të Arsimit, Hajrullah Çeku.
Ministri Çeku ka deklaruar se negociatat me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit, me qëllim që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore para fillimit të vitit të ri. Ai theksoi se librat dolën në shitje në momentin që negociatat ishin ende në vazhdim, duke e cilësuar këtë si shkelje. “Nuk bën kështu, sepse nuk ka përfunduar as negociimi, as përcaktimi i çmimeve, as vlera e subvencionit,” – ka deklaruar Çeku, duke paralajmëruar se Ministria do t’u drejtohet institucioneve përgjegjëse dhe se prindërit duhet të kompensohen nga ata që kanë bërë shkeljen.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Shtëpinë Botuese “Luarasi” për të marrë qëndrimin e saj lidhur me deklaratat e ministrit Çeku, duke marrë përgjigje të ashpra. E pyetur nëse ka qenë në negociata me MAShT-in për përcaktimin e çmimeve të teksteve, “Luarasi” ka theksuar se ftesa për takim u bë më 18 gusht për datën 19 gusht. Komisioni për negociata, sipas tyre, përbëhej nga tri zonja, i kryesuar nga Anita Kadriu, drejtoresha për arsim parauniversitar.
Në lidhje me faktin nëse marrëveshja për çmimet dhe vlerën e subvencionimit kishte përfunduar kur librat dolën në shitje, “Luarasi” u përgjigj: “Kjo gjendje ka vetëm një shkaktar – Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit, e cila vazhdon të veprojë njëlloj sikur nën udhëheqjen e ish-ministres Nagavci. Udhëheqje e dobët, udhëheqje në shkelje të ligjit në çdo hap.” Shtëpia botuese theksoi se ligji e detyron ministrinë që 30 ditë para fillimit të vitit shkollor t’i lajmërojë shtëpitë botuese për nevojat e shkollave dhe të publikojë katalogun e librave më së voni deri më 31 korrik. “Mirëpo, ka më shumë se 5 vite që këto afate shkelen. Madje, edhe metoda shumë e përparuar e shpërndarjes së teksteve shkollore nëpër shkolla para 1 shtatorit është shkelur nga kjo ministri,” – thuhet në deklaratë.
Sipas “Luarasit”, ky ndryshim dhe shkelje nga Ministria e Arsimit për furnizimin e nxënësve me tekste shkollore është bërë për “motive të ulëta dhe të paligjshme të ish-ministres Nagavci”. Ata shtojnë se ndryshimin u përpoq ta mbulojë me pretendimin e rremë se gjoja në të kaluarën janë shpenzuar shumë para, por “e vërteta ka qenë dhe është krejt ndryshe – e kundërta, Ministria nën udhëheqjen e Nagavcit ka shpenzuar më shumë para për libra. Tani kërkojnë negocim çmimesh? Për çka? Neve na ka nxjerrë në treg të hapur dhe kërkon negocim çmimesh. Në bazë të cilit ligj? Në bazë të cilës logjikë? Ky hap nuk është gjë tjetër veçse populizëm, se gjoja po kujdesem për buxhetin e familjeve. Po të ishte se kujdesen për buxhetin e familjeve, është dashur të vazhdohet praktika e shpërndarjes së teksteve në shkolla, e jo të maltretohen qytetarët për sigurimin e disa librave,” – ka deklaruar shtëpia botuese.
Ndërkaq, lidhur me deklaratën e ministrit Çeku se dalja e librave në shitje gjatë kohës së negociimit përbën shkelje, si dhe paralajmërimin se MAShT-i do t’u drejtohet organeve përgjegjëse, “Luarasi” reagoi me ironi të theksuar: “Shkelje të kujt? Të cilit ligj? Të cilës marrëveshje? Në anën tjetër – ministria po, ka shkelur ligjin për botimin e teksteve shkollore dhe të gjitha praktikat pozitive të këtij procesi.”
Përplasja mes Ministrisë së Arsimit dhe shtëpisë botuese “Luarasi” zhvillohet vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të përmbyllen negociatat dhe kur do të ekzekutohen pagesat për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore, duke lënë shumë prindër dhe nxënës në pasiguri.
