Serbia ka njoftuar një “ceremoni shtetërore” për varrimin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq. Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, deklaroi të premten se ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës, dhe kriminel lufte i dënuar, Ratko Mlladiq, “do të marrë të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”.

Mlladiq ndërroi jetë të enjten, ndërsa vuante një dënim me burgim të përjetshëm në Hagë për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Bosnjë në vitet 1990.

Vujiq theksoi për transmetuesin K1 se “është e sigurt që gjenerali Mlladiq do të marrë të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë, për sa i përket shtetit”.

Zyrtarët serbë, shtoi ai, janë në pritje të detajeve lidhur me kohën kur autoritetet në Hagë do të lëshojnë trupin e Mlladiqit. “Jemi gati të nisemi për në Hagë sapo të mësojmë se cilët janë hapat e ardhshëm,” deklaroi ministri serb.