Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për tre vitet e ardhshme.

Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit ka përfshirë mirëmbajtjen e rrugëve në kuadër të disa grupeve, shkruan IndeksOnline.

Për grupin “Peje 1”, kontrata është nënshkruar më 24 gusht 2026 me grupin e operatorëve ekonomikë “Lika Company” SH.P.K. dhe “MIRUSHA COMPANY” SH.P.K. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 25 tenderues, ndërsa vetëm një është vlerësuar si i përgjegjshëm. Vlera e kontratës është 505.88 euro.

Po të njëjtën datë është nënshkruar edhe kontrata për grupin “Prishtina 1”, me grupin e operatorëve ekonomikë “SALLAHU” SH.P.K. dhe N.N.P. “Ndertimi”. Edhe në këtë grup janë pranuar 25 tenderë, prej të cilëve vetëm një është vlerësuar i përgjegjshëm, ndërsa vlera e kontratës është 1,222.46 euro.

Kontrata në fjalë është pjesë e aktivitetit për “Mirëmbajtjen verore dhe dimërore të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për 3 vitet në vazhdim”, me kohëzgjatje prej 36 muajsh. Vlera e parashikuar e përgjithshme e kontratës në dokument është 35.5 milionë euro, e financuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Sipas dokumentit, procedura e prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës është përcaktuar çmimi më i ulët.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se njoftimi për nënshkrimin e kontratës nuk është publikuar për pesë lote./IndeksOnline/