Olsa Muhameti zbulon detaje për edicionin e pestë të Big Brother VIP Kosova
Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” kanë nisur tashmë. Producentja e emisionit, Olsa Muhameti, ka shpalosur detaje të reja lidhur me sezonin e ardhshëm.
E ftuar në emisionin “Prive Summer” në Klan Kosova, Muhameti tregoi se procesi i përzgjedhjes së banorëve është ende në zhvillim e sipër. Deri tani, produksioni ka hartuar një listë me 25 personazhe.
“Është ende herët. Deri tani janë 25 personazhe në konsideratë, por numri do të rritet më shumë”, deklaroi ajo.
Megjithatë, sipas producentes, numri përfundimtar i banorëve që do të hyjnë në shtëpinë e BBVK 5 pritet të jetë rreth 20.
Muhameti la të kuptohet se publiku mund të presë një sezon të veçantë, duke dhënë edhe një paralajmërim për atë që po përgatitet.
“Jam kaq e çlodhur dhe kaq e fokusuar në punë. Tashmë e njoh dhe e dua Kosovën më shumë se kurrë më parë, kështu që ruhuni këtë sezon”, u shpreh ajo.
Kështu, mbetet ende enigmë se cilët nga 25 personazhet aktualisht në listën paraprake të produksionit do të jenë pjesë e kastit përfundimtar të BBVK 5, ndërsa procesi i përzgjedhjes pritet të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim.
