Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur: Kosova ende kërkon 1.577 të zhdukur nga lufta

**Prishtinë** – Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shënohet sot, ndërsa Kosova vazhdon të mbajë gjallë kujtesën dhe kërkimin për 1.577 persona që mbeten të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999, 27 vjet pas përfundimit të saj.

Në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftimeve, numri i personave të raportuar si të zhdukur në Kosovë ishte rreth 6.500. Ndër vite, një pjesë e tyre janë gjetur dhe identifikuar, por një numër i konsiderueshëm ende mungon.

Sipas të dhënave të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, familjet e 1.577 personave presin me ankth për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:30.

Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shërben si një kujtesë e vazhdueshme për mijëra familje që ende presin përgjigje dhe drejtësi për fatin e familjarëve të tyre të zhdukur, si dhe një thirrje për institucionet vendase e ndërkombëtare që të intensifikojnë përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje humanitare.