Zjarret në Shqipëri: Katër Vatra Mbeten Aktive, Situata më Problematike në Malin e Dajtit

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Në total, janë raportuar 26 vatra zjarri në territorin shqiptar, nga të cilat katër mbeten ende aktive dhe dy të tjera nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Për t’u përballur me flakët, Ministria njofton se janë angazhuar 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse. Gjithashtu, në mbështetje të operacioneve ajrore janë përdorur 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Situata më kritike vijon të jetë në Malin e Dajtit, sidomos në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe përhapje të zjarrit. Operacionet për ditën e sotme përfshijnë 15 zjarrfikës, 9 forca nga Agjencia për Administrimin e Zonave të Mbrojtura (AZM) dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura (FA).

Në qarkun Dibër, vatrat aktive ndodhen në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal, po operojnë 38 forca nga Mbrojtja Civile dhe bashkia, si dhe 30 efektivë të FA. Në Sllatinë janë angazhuar 91 forca, ku theksohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në qarkun Elbasan, vatrat e zjarrit në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për banorët apo pronat e tyre.

Gjithashtu, gjatë natës së kaluar, është regjistruar një tërmet me magnitudë 4.7 ballë, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, bashkia Delvinë. Fatmirësisht, nuk janë raportuar dëme apo problematika në komunitet apo infrastrukturë nga kjo ngjarje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po monitoron pa ndërprerje situatën në të gjithë vendin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, duke patur prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.