**Irani sulmon baza amerikane në Jordani, Trump paralajmëron përgjigje të ashpër**

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër ndaj Iranit, pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) lëshoi raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani.

“Do t’i godasim ashpër,” citohet të ketë thënë Trump më 31 gusht për një gazetar të Fox News. “Do të ketë përgjigje,” shtoi presidenti.

Trump theksoi se mbrojtja ajrore amerikane kishte penguar të gjitha raketat iraniane, duke parandaluar çdo dëm. Nga ana tjetër, IRGC-ja pretendoi se kishte lëshuar raketa balistike drejt bazave Mbreti Husein dhe Al Azrak në Jordani, duke shkaktuar “dëme të mëdha.”

Pretendimet e IRGC-së nuk janë verifikuar menjëherë, ndërsa vlerësohet se Garda Revolucionare shpesh i ekzagjeron pohimet e saj.

Sulmi në Jordani ndodhi pasi forcat amerikane goditën raketahedhësit në ishullin iranian Larak, në atë që shënonte sulmin e parë të bërë publikisht nga SHBA-ja ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se masat e reja ekonomike ndaj Teheranit po shkaktojnë çrregullime të thella në ekonominë iraniane.

“Ata po e marrin shumë seriozisht… janë të tronditur nga gjendja e ekonomisë së tyre,” u tha Bessent gazetarëve gjatë një takimi të ministrave të financave dhe drejtuesve të bankave qendrore të G20-ës në Karolinën e Veriut.

Bessent theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Iranit, ndërsa vlerësoi se “javët ose muajt” e ardhshëm mund të sjellin një pikë kthese në fushatën amerikane të presionit.

Edhe ministri francez i Financave, Roland Lescure, deklaroi se vendet duhet të punojnë për forcimin e sanksioneve ndaj Iranit.

SHBA-ja ka nisur më 24 gusht një fushatë sanksionesh të quajtur “ofensiva ekonomike,” e cila synon rrjetet financiare iraniane në mbarë botën./REL