Austri | Ish-bashkëshorti dyshohet për vrasjen brutale të një gruaje kosovare, nënë e katër fëmijëve
**Sooß, Austri** – Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Sooß, pranë qytetit Baden në Austri, ku një grua 38-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, është gjetur e pajetë në oborrin e shtëpisë së saj.
Sipas informacioneve të para, para mbërritjes së policisë, një burrë kishte lajmëruar qendrën e emergjencës për një vrasje. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën gruan të shtrirë pa jetë në bar, ndërsa në tokë ishin të dukshme gjurmë zvarritjeje.
Në vendngjarje ishte i pranishëm edhe ish-bashkëshorti i viktimës, i identifikuar si David O., i cili shfaqej i shqetësuar. Autoritetet austriake e kanë cilësuar këtë rast si një tjetër “femicid” (vrasje e gruas për shkak të gjinisë), duke theksuar rritjen e shqetësimit publik për këtë fenomen. Mësohet se David O. është me origjinë nga komuna e Gjakovës.
**Plagë të shumta dhe armë të sekuestruara**
Viktima kishte plagë të shumta në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga thika, arma e zjarrit dhe mjete të tjera të forta.
I dyshuari, shtetas austriak me origjinë kosovare, fillimisht mohoi përfshirjen, por më pas, sipas burimeve, pranoi para hetuesve se nuk e kishte kapërcyer kurrë ndarjen nga viti 2019 dhe e fajësonte gruan për këtë vendim. Madje, ai dyshohet se ka shprehur “E urrej atë!”.
Gjatë kontrollit, policia i sekuestroi një pistoletë 9 milimetërshe, të cilën D.O. pretendon se e kishte blerë nga një person i panjohur. Si mjet tjetër i përdorur, ai ka përmendur edhe një kaçavidë. Autoritetet theksojnë se për të dyshuarin vlen prezumimi i pafajësisë derisa të përfundojnë hetimet.
**Komuniteti i tronditur, fëmijët nën kujdesin e shtetit**
Komuniteti i Sooß-it, me rreth 1.000 banorë, është shprehur thellësisht i tronditur nga ngjarja. Viktima njihej si një grua e hapur, e dashur dhe pozitive. “Ka qenë gjithmonë e buzëqeshur dhe e sjellshme. Jemi të gjithë të shokuar,” ka deklaruar një banor lokal. Në profilin e saj në Facebook, viktima kishte shkruar më parë: “Jeto, duaj, qesh,” dhe kishte ndarë mesazhe prekëse për bukuritë e jetës, si përqafimet, buzëqeshjet, familjen, dashurinë dhe kujtimet.
Të hënën, zëdhënësi i Prokurorisë së Wiener Neustadt, Erich Habitz, konfirmoi arrestimin e të dyshuarit, urdhërimin e autopsisë dhe kërkesën për paraburgim. Edhe kryebashkiaku i komunës, Hermann Rauch, shprehu thellësisht tronditjen e tij, duke deklaruar se “kjo nuk përshkruhet me fjalë”.
Katër fëmijët e mitur të viktimës janë marrë nën kujdesin e shërbimeve sociale dhe autoriteteve të mirëqenies së fëmijëve në Baden.
Kjo ngjarje tragjike ka rikthyer sërish në qendër të debatit publik në Austri çështjen e dhunës në familje dhe rritjen alarmante të rasteve të vrasjeve të grave, duke shkaktuar reagime të forta.
