Kompania Meta Platforms, e cila kontrollon rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, po përballet me një proces gjyqësor të pashembullt, të ngritur nga një koalicion dypartiak prej 29 shtetesh amerikane.
Kompania akuzohet se ka hartuar qëllimisht platformat e saj për të krijuar varësi te fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas shteteve paditëse, Meta ka prioritizuar fitimin mbi shëndetin mendor të përdoruesve të rinj. Ajo dyshohet se ka shfrytëzuar dobësitë psikologjike të të miturve dhe ka kontribuar në rritjen e ankthit, depresionit dhe, në raste ekstreme, të mendimeve vetëvrasëse.
Gjatë deklaratave hapëse të procesit, zëvendësprokurorja e përgjithshme e Kalifornisë, Megan O’Neill, e përmblodhi modelin e biznesit të kompanisë me katër fjalë: “hook” (të tërheqë), “hold” (të mbajë), “harvest” (të mbledhë të dhëna) dhe “hide” (të fshehë të vërtetën).
Padia, e drejtuar nga Kalifornia, Kolorado, Kentaki dhe Nju Xhersi, përmban gjithashtu akuza për shkelje të ligjeve federale të privatësisë. Meta dyshohet se ka mbledhur dhe përdorur në mënyrë të papërshtatshme të dhënat personale të fëmijëve nën 13 vjeç, pa pëlqimin e prindërve.
Prokurori i përgjithshëm i Kentakit, Russell Coleman, e krahasoi betejën ligjore me proceset gjyqësore të viteve ’90 kundër kompanive të duhanit dhe më vonë kundër prodhuesve të opioideve.
“E bëmë atëherë, do ta bëjmë përsëri me Meta-n”, theksoi Coleman.
Në qendër të këtij procesi qëndron edhe ndikimi i mundshëm financiar për kompaninë. Shtetet paditëse kërkojnë gjoba civile që mund të arrijnë deri në 200 miliardë dollarë, një shumë që barazon rreth tre vite fitime neto të Meta-s.
Në disa dokumente të paraqitura në gjykatë, Meta ka argumentuar se gjobat teorike mund të arrinin deri në 1.400 miliardë dollarë. Megjithatë, gjyqtarja Yvonne Gonzalez Rogers e ka cilësuar këtë vlerësim si “të paarsyeshëm”.
Procesi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si platformat e mëdha të mediave sociale hartojnë produktet e tyre dhe si i trajtojnë përdoruesit e mitur.
