**Presidenca e Kosovës rrezikon të mbetet pa ud. presidenti pas 5 tetorit; Jakaj: Kushtetuta nuk parashikon vazhdimin e mandatit**
Zyra e Presidentit të Kosovës rrezikon të mbetet pa një kryetar në detyrë pas datës 5 tetor, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike. Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut, e cila aktualisht ushtron detyrën e presidentes, skadon në këtë datë. Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thekson se institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje para skadimit të afatit, pasi Kushtetuta nuk parashikon vazhdimin e mandatit të ushtruesit të detyrës.
Në një intervistë, Jakaj theksoi nevojën urgjente për mbledhjen e Kuvendit. Ai iu referua marrëveshjes së arritur më parë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për kandidimin e zotit Bekim Sejdiu për president, si një përpjekje e mirë për t’i mundësuar Kosovës të ketë një president dhe, rrjedhimisht, për të konstituuar shpejt Kuvendin dhe formuar Qeverinë, pavarësisht se kjo po ndodhte jashtë afateve kushtetuese.
“Megjithatë, duke qenë se gjashtë deputetët e LDK-së janë shprehur kundër një marrëveshjeje të tillë dhe nuk do të votojnë apo marrin pjesë në votim, siç vetë ata kanë deklaruar, Kuvendi duhet të mblidhet shumë shpejt. Zoti Dehari (kryesuesi i seancës konstituive) duhet të thërrasë vazhdimin e seancës, të konstituohet Kuvendi shpejt, të formohet Qeveria pa humbur kohë, dhe në ndërkohë të rrjedhë afati për presidentin”, tha Jakaj.
Jakaj theksoi se, në rast të një bllokimi politik, vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje. Kjo duhet të ndodhë në mënyrë që të mos tejkalohet afati i mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit. Ai sqaroi se, nëse skadon afati 60-ditor dhe vendi hyn në periudhën pas 5 tetorit, kur përfundon afati gjashtëmujor i ushtrimit të detyrës së presidentit, Kushtetuta nuk ka parashikuar vazhdimin e mandatit të kryetarit të Kuvendit, si ud. presidenti, për një periudhë tjetër.
“Deputetët, partitë politike dhe krerët e tyre duhet t’i thërrasin mendjes, në mënyrë që të respektojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Ne nuk duhet të përfundojmë pas datës 5 tetor në një situatë ku nuk kemi qenë asnjëherë dhe ku, pak a shumë, dihet se çfarë do të ndodhë, duke hyrë në një fazë të kontestueshmërisë së atij presidenti,” u shpreh ai.
Ai paralajmëroi se vazhdimi i ushtrimit të detyrës pas skadimit të mandatit mund të krijojë një zinxhir institucionesh që do të mund të konsideroheshin jokushtetuese. “Për shembull, në rastin kur zonja Haxhiu ose një kryetar tjetër i Kuvendit do të qëndronte në pozitën e kryetarit të Kuvendit e rrjedhimisht edhe ushtruese e detyrës së presidentit pas datës 5 tetor, atëherë ai ushtrues detyre, i cili është jashtë afatit dhe mandatit kushtetues, do të propozonte një kryeministër. Ky i fundit do të mandatonte dekretin e një kryeministri që do të propozonte një qeveri jokushtetuese, një kryeministër jokushtetues, një Kuvend jokushtetues dhe një president tjetër po ashtu jokushtetues. Prandaj, ne do të ktheheshim në një pikë zero ku do të duhej të kishte vetëm një dakordim politik, sesa një zgjidhje juridike. Kjo do të vërtetonte dhe do të mbetej në historinë institucionale të Kosovës se, për arsye tekesh, inatesh dhe qëllimesh kryesisht elektorale, ne kemi rrënuar kushtetutshmërinë, për të cilën Kosova dhe qytetarët e saj kanë dhënë mjaft,” shtoi ai.
I pyetur nëse Gjykata Kushtetuese mund të japë një interpretim që do t’ia vazhdonte mandatin Haxhiut ose ushtruesit të detyrës së kryetarit të Kuvendit pas 5 tetorit, Jakaj tha se një kërkesë e tillë mund të bëhet, por aktualisht situata mbetet hipotetike. Ai nuk beson se Gjykata Kushtetuese mund ta trajtojë këtë çështje në këtë fazë, megjithëse ka ndryshuar standardet në disa çështje të caktuara. “Gjykata mund të interpretojë atë nenin kushtetues ku thuhet se në mungesë të presidentit, kryetari i Kuvendit e ushtron detyrën për 6 muaj, dhe mund të thotë që ushtruesi i detyrës së kryetarit të Kuvendit mund të vazhdojë, për arsye të rrethanave të caktuara politiko-juridike. Por, deri në këtë moment, nuk e di se si mund ta arsyetojë Gjykata. Ndoshta për arsye të rrethanave, siç ka ndryshuar standardet, ta zëmë tek çështja e pranueshmërisë së procesverbaleve në vend të vendimeve të Kuvendit, por një gjë të tillë duhet ta shohim më vonë,” tha tutje Jakaj.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse presidenti nuk zgjidhet në kohë ose posti mbetet vakant, kryetari i Kuvendit emërohet ushtrues detyre për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj, derisa vendi të zgjedhë një president të ri. Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
