**Prishtinë: Shtatë kontejnerë digjen brenda natës, “Pastrimi” apelon për kujdes dhe përgjegjësi nga qytetarët**
Kompania për menaxhimin e mbeturinave, “Pastrimi”, ka njoftuar se gjatë natës së kaluar janë djegur shtatë kontejnerë në dy rrugë të kryeqytetit, përkatësisht në rrugët “Sylejman Vokshi” dhe “Avalla”.
Nëpërmjet një komunikate, “Pastrimi” u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos djegin kontejnerët apo të hedhin mbeturina të ndezura. Sipas kompanisë, veprime të tilla ndotin rëndë ajrin dhe paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin.
Gjithashtu, “Pastrimi” ka theksuar se djegia e kontejnerëve apo hedhja e mbeturinave të ndezura është veprim i dënueshëm dhe mund të sanksionohet me gjobë nga institucionet përgjegjëse.
