Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe ajo e Invalidëve të Luftës së UÇK-së kanë ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë. Ky marsh organizohet në prag të shpalljes së verdiktit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjatë një konference për shtyp, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, deklaroi se organizatat e dala nga lufta janë duke u përgatitur si për marshin, ashtu edhe për pritjen e vendimit përfundimtar më 16 shtator. Ai e vlerësoi Gjykatën Speciale si politike dhe procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si të padrejtë.
“Kjo konferencë është njoftim për organizimin e pritjes së verdiktit përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej gati gjashtë vitesh po mbahen padrejtësisht atje,” theksoi Jashari.
Ai i bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet. Jashari shtoi se organizatat që ai përfaqëson bashkëpunojnë ngushtë me struktura të tjera mbarëkombëtare për pritjen dinjitoze të ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me organizata të ndryshme, me këshilla të ndryshme mbarëkombëtare, në mënyrë që me datën 16 t’i presim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mënyrë dinjitoze,” shpjegoi ai.
Jashari paralajmëroi se, në rast të një vendimi që ai e konsideron politik, organizatat përfaqësuese nuk do të qëndrojnë pasive. “Ne nuk do të rrijmë me duar kryq,” deklaroi ai prerë.
Në të njëjtën konferencë, Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, u bëri thirrje shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja, si dhe mërgimtarëve, që të marrin pjesë në “Marshin për Liri”.
Marshi është parashikuar të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Shurdhaj ftoi në veçanti veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij manifestimi, në pritje të shpalljes së verdiktit përfundimtar më 16 shtator.
